Kampusi i Akademisë së Forcave të Armatosura drejt finalizimit, Vengu dhe Kumbaro: I shërben arsimit dhe sigurisë kombëtare

Kampusi i ri modern i Akademisë së Forcave të Armatosura po merr formë duke sjellë një transformim rrënjësor në edukimin ushtarak në Shqipëri. Me një hapësirë prej 7 600 m², kompleksi i ri përfshin klasa bashkëkohore, auditore, laboratorë, poligon stërvitor, pishinë, mensë dhe ambiente të standardeve më të larta ndërkombëtare.
Ky investim strategjik synon të përgatisë brezat e rinj të kuadrove të FA dhe të rrisë profesionalizmin në shërbim të sigurisë kombëtare.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë inspektimit të punimeve, theksoi se 80% e punimeve kanë përfunduar dhe se studentët trajtohen me pagesë gjatë studimeve dhe kanë mundësi specializimi në akademi të njohura europiane dhe amerikane.
Vengu tha se programet e reja do të përfshijnë profilizime jo vetëm ushtarake, por edhe në fusha të tilla si Masteri në Sigurinë Kibernetike.
“Jemi në fazën e parë të punimeve, ku prashikohet vetëm klasat e studimit, laboratorë, mensa, stimulimit, bibliotekën, ndërsa faza e dytë do të përfshijë edhe akomodimin e studimeve dhe jetesën e tyre. 80% e infrastrukturës së godinës ka mbaruar. Këtë vit kemi pasur një numër rekord: 1630 aplikime për vetëm 80 vende. Në muajin shkurt do të jetë gati për të nisur programet bachelor dhe master, sepse përveç një akademie ushtarake të mirëfilltë përgatit edhe profesionistë të inxhinierisë apo ekonomisë që i shërbejnë kryqëzimit të jetës civile me aktivitetin e forcave të armatosura. Do të kemi një ofertë akademike e cila përveç kurseve akademike, do të ketë edhe kurse të specialiteteve, siç është masteri në sigurinë kibernetike që po bëhet gjithnjë e më atraktiv, por për të mbështetur edhe sektorë të tjerë shtetërorë që kanë nevojë për kapacitete”, tha Vengu.
Nga ana tjetër Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, vlerësoi projektin si një hap të madh për arsimin e lartë profesional, duke shtuar se ky kampus i ri i shtohet paketës së gjerë të investimeve në arsim.
“Është një investim fantastik për një ndër degët tona të studimit që po merr më shumë e gjithnjë rëndësi, ndërsa uniformën ushtarake e kemi në kryefjalë të tavolinave ndërkombëtare, edhe për çështje të sigurisë. Është një investim gjithashtu që i shtohet paketës së madhe të investimeve në arsim, aq më tepër që shikojmë që ka një kërkesë në rritje dhe duhet të zgjerojmë ofertën”, tha Kumbaro.
/rtsh.al/