Kamzë, avancojnë punimet për nënstacionin e ri elektrik, Suli: Investim strategjik me mbështetjen gjermane

Punimet për ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik 110/20 kV në Kamzë po vijojnë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës energjetike në zonë.
Ky projekt madhor synon t’i japë zgjidhje përfundimtare problematikave të furnizimit, duke garantuar siguri rrjeti dhe shërbim cilësor për mijëra banorë dhe biznese.
Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, ndau pamje nga kantieri i punimeve përmes rrjeteve sociale, duke e cilësuar këtë vepër si jetike për komunitetin.
“Projekti i ri do të sigurojë energji të qëndrueshme dhe do të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët dhe bizneset. Ky investim është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të rrjetit energjetik dhe përmirësimit të shërbimit, duke minimizuar ndërprerjet e energjisë elektrike në zonë,” u shpreh Suli.
Investimi parashikon instalimin e 2 transformatorëve, ndërtimin e 41 kabinave të reja dhe shtrirjen e një rrjeti prej 30 kilometrash me kapacitet 20 kilovolt.
Projekti realizohet falë mbështetjes së qeverisë shqiptare dhe financimit të Qeverisë Gjermane nëpërmjet bankës KfW. Ky bashkëpunim konsiderohet strategjik për forcimin e rrjetit shpërndarës dhe rritjen e sigurisë së furnizimit në një nga zonat me zhvillimin më të madh demografik.
Zonat përfituese
Me përfundimin e punimeve, nënstacioni i ri do të mbulojë me furnizim të qëndrueshëm disa nga zonat më të populluara, duke përfshirë:
Fushë-Kamzën
Valiasin e Ri dhe Valiasin e Vjetër
Laknasin
Lagjen Lura
Lagjen 6, Bathore
/rtsh.al/