E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratisja e Altin Ndoci nga spitali i burgut në Durrës, Sulo: Shkelje e protokolleve dhe neglizhencë në shoqërimin e të burgosurve

Arratisja e të dënuarit Altin Ndoci nga spitali i burgut në Durrës ka qenë temë kryesore e debatit në emisionin “Trialog” në RTSH, të moderuar nga Alba Alishani.

Gazetari Arion Sulo ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si është realizuar transporti i të burgosurve dhe respektimi i protokolleve të sigurisë.

Sulo theksoi se, sipas rregullores, për çdo të burgosur të rrezikshëm duhet të jenë të pranishëm të paktën tre punonjës të policisë së burgjeve.

“Në rastin e Ndoci, ky plan nuk ka funksionuar. Madje, më e dyshimtë është fakti se dy të burgosur janë transportuar në të njëjtin furgon, kur rregullorja parashikon mjete të veçanta për secilin,” u shpreh ai.

Sulo shtoi se gjatë momentit të mjekimit të një të burgosuri tjetër, tre punonjës të policisë së burgjeve janë larguar për ta shoqëruar atë, duke lënë vetëm dy persona me Altin Ndoci.

Kjo situatë, sipas tij, ka krijuar hapësirën e nevojshme për arratisjen.

Sulo nënvizoi gjithashtu se ende nuk ka një diagnozë zyrtare nga Spitali i Durrësit për gjendjen shëndetësore të Ndoci.

“Ai kurohej më herët për probleme me veshkat, ndërsa këtë herë trajtohej për një infeksion në mushkëri. “Informacionet tregojnë se i arratisuri ka bërë shumë hyrje-dalje kohët e fundit, duke lëvizur shpesh në ambientet e spitalit,” tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›