Kanadaja njofton tarifa hakmarrëse “dollar për dollar” ndaj SHBA-së, Carney refuzon kushtet e Trump dhe përgatit përgjigjen nga 8 shtatori

Marrëdhëniet tregtare dhe politike midis Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë kanë pësuar një nga krisjet më të rënda historike, pasi bisedimet dypalëshe dështuan përfundimisht.Si rrjedhojë, Uashingtoni vendosi tarifa ndëshkuese prej 50% mbi produkte kanadeze me vlerë 20 miliardë dollarë, ndërsa Kryeministri kanadez Mark Carney u zotua për një përgjigje simetrike “dollar për dollar” që hyn në fuqi më 8 shtator.
Përplasja e re tregtare prek rreth 5% të eksporteve vjetore të Kanadasë drejt SHBA-së, duke përfshirë një gamë të gjerë artikujsh nga produktet e qumështit deri te pajisjet industriale dhe elektronike.Trump vendosi këto tarifa duke thirrur Seksionin 338 të Ligjit të Tarifave të vitit 1930 (i njohur si ligji Smoot-Hawley i periudhës së Depresionit të Madh), një mjet ligjor që nuk ishte përdorur kurrë më parë për të zbatuar taksa të tilla.
Në një fjalim drejtuar kombit, Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, deklaroi se vendi i tij u tërhoq nga marrëveshja pasi Uashingtoni paraqiti kërkesa të minutës së fundit që cenonin drejtpërdrejt sovranitetin dhe ekonominë e vendit.
“Ata kërkuan shumë dhe ofruan shumë pak. Ndryshimet e minutës së fundit në kushtet e propozimit të SHBA-së ishin të padrejta, joekonomike dhe vunë në pikëpyetje besueshmërinë e çdo marrëveshjeje.”, tha ai.
Carney nënvizoi se Otava ishte e gatshme për kompromis, por jo me çdo çmim, duke bërë me dije se aleanca tradicionale midis dy vendeve ka ndryshuar rrënjësisht.
“Kanadaja e ka pranuar se Amerika ka ndryshuar dhe se të dyja vendet nuk do të kthehen më te marrëdhënia jonë e vjetër.”, theksoi Carney
Nga ana tjetër, Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer, fajësoi Kanadanë për ndërprerjen e tratativave, duke deklaruar se Uashingtoni i kishte ofruar Otavës lehtësime tarifore në sektorë kritikë si çeliku, automjetet dhe lënda e drurit, por se pala kanadeze kishte tërhequr me pasiguritë e saj.
Dështimi i bisedimeve dypalëshe ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e marrëveshjes së tregtisë së lirë të Amerikës së Veriut (USMCA), ndërsa të dyja palët po përgatiten për koston ekonomike të një lufte të zgjatur tarifore.
Anatomia e konfliktit tregtar SHBA–Kanada
- Tarifat e SHBA-së (Në fuqi):Taksë prej 50% mbi mallrat kanadeze me vlerë 20 miliardë dollarë (përfshin pajisje bujqësore, qumësht, mobilje, veshje, etj.).Autos, çeliku dhe alumini vazhdojnë të përballen me tarifat e mëparshme.
- Hakmarrja e Kanadasë (Nga 8 Shtatori):Zbatimi i tarifave “dollar për dollar” mbi çelikun, produktet e qumështit, pajisjet shtëpiake, makineritë bujqësore, letrën dhe elektronikën me origjinë nga SHBA.
- Baza Ligjore e Trump:Seksioni 338 i Aktit të Tarifave të vitit 1930 (Smoot-Hawley) — një autoritet ligjor i epokës së Depresionit të Madh që lejon taksim deri në 50% pa nevojën e një hetimi paraprak.
- Statistikat e Tregtisë: SHBA dhe Kanadaja shkëmbejnë rreth 880 miliardë dollarë në mallra dhe shërbime çdo vit, ndërsa mbi 72% e eksporteve kanadeze shkojnë drejt tregut amerikan.
/rtsh.al/