E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidati për SPAK, Xholi rrëfen dosjet e bujshme të karrierës: Vrasja e Glinës dhe masakrat e ’97 tregojnë eksperiencën time

Kandidati për kreun e ri të SPAK-ut, Adnan Xholi, në fjalën e tij gjatë prezantimit të platformës para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, bëri një panoramë të gjerë të eksperiencës profesionale dhe vizionit për të ardhmen e Prokurorisë së Posaçme.

Gjatë fjalës së tij, Xholi rikujtoi fillimet e karrierës në vitin 1999, kur u emërua prokuror në Gjirokastër, ku u angazhua në hetimin e disa prej çështjeve më të rënda të periudhës së trazuar të vitit 1997.

“Kam hetuar çështje sensitive të ndodhura në vitin 1997. Një prej tyre ishte e njohur si vrasja e Glinës, ku një grup i armatosur me shtrirje nga Vorë në Tepelenë grabiste shtetas që ktheheshin nga Greqia dhe i zinte në kurth në zonën kufitare. Katër shtetas u vranë nga ky grup. Autorët u identifikuan dhe u dënuan; për ekzekutorin kam kërkuar dënim të përjetshëm”, deklaroi Xholi.

Ai përmendi gjithashtu hetimin e ngjarjeve të rënda të njohura si Masakra e Cërrikut dhe Masakra e Qafë-Gjashtës, si dhe çështjet e rrëmbimit të dy biznesmenëve, që u mbajtën për ditë të tëra nën dhunë fizike e psikologjike për të siguruar shuma të mëdha parash.

“Dy çështje të tjera kanë të bëjnë me rrëmbimin e biznesmenëve. Dy biznesmenë u rrëmbyen, një në fshatin Peshkopi dhe një në qytetin e Gjirokastrës.  I rrëmbyen për një periudhë 9-18 ditë, ushtruan dhunë psikologjike dhe fizike. Duke i detyruar të hapnin varrin e tyre me qëllim të merrnin shumat monetare të kërkuara, ishin 100 mln dhrami”, tha Xholi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›