E Premte, 6 Nëntor 2026

Kaos në Shtëpinë e Bardhë pas humbjes në zgjedhje, Marco Rubio mendon dorëheqjen

Humbja e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA ka sjellë përplasje brenda administratës Trump. Sipas mediave, sekretari i Shtetit, Marko Rubio, po shqyrton dorëheqjen përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028, ndërsa kreu i Pentagonit, Pit Hegseth, rrezikon të përballet me procedurën e shkarkimit.

Fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, ku siguruan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, ka hapur debate mes republikanëve për përgjegjësitë e humbjes.

Ndërkohë, sipas CNN, Dhoma e Përfaqësuesve mund të votojë që javën e ardhshme për nisjen e procedurës së shkarkimit të sekretarit të Mbrojtjes, Pit Hegseth. Disa republikanë e konsiderojnë atë përgjegjës për rolin që dyshohet se ka luajtur në bindjen e Trump për të sulmuar Iranin pa një strategji për përfundimin e konfliktit.

Megjithatë, Trump ka këmbëngulur se do ta mbajë Hegseth në detyrë. “Kam marrë telefonata me ankesa për të, por nuk e kuptoj pse”, ka deklaruar presidenti për ABC.

Kritikat kanë ardhur edhe nga vetë republikanët. Senatori i Teksasit, Ted Kruz, e ka cilësuar rezultatin si një “cunami blu”, duke fajësuar çmimet e larta, tarifat doganore dhe zgjatjen e luftës me Iranin.

Edhe mediat e Rupert Murdoch kanë ndryshuar tonin ndaj Trump. New York Post i ka kërkuar presidentit të shohë veten në pasqyrë për të gjetur përgjegjësin e humbjes, ndërsa Wall Street Journal e ka cilësuar atë “arkitektin kryesor” të disfatës republikane.

Sipas Fox News, zëvendëspresidenti J.D Vance po përpiqet të krijojë një aleancë të re me republikanët e pakënaqur nga Trump, me synimin për zgjedhjet e vitit 2028.

Nga ana tjetër, Trump ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me demokratët. “Besoj se mund të merremi vesh. Do të ishte mirë për vendin”, ka deklaruar ai për ABC.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka shprehur shpresën se fitorja e demokratëve do të sjellë më shumë mbështetje amerikane për Ukrainën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›