Kaosi në Kuvend, PS kërkon përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës, Sekretariati e shtyn mbledhjen për më 23 dhjetor

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën u mblodh ditën e sotme nën drejtimin e socialistit Ulsi Manja, për të shqyrtuar kërkesën e mazhorancës për marrjen e masave disiplinore ndaj një numri të lartë ligjvënësish të opozitës.
Në tryezën e Sekretariatit u diskutua kërkesa e dorëzuar nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste, të cilët kërkojnë ndëshkimin e 29 deputetëve nga radhët e Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë së Lirisë (PL) për kaosin e krijuar.
Sipas pretendimeve të mazhorancës, këta deputetë kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe të parapërgatitur për të krijuar kaos në sallë, duke bllokuar efektivisht punimet e seancës plenare.
Kërkesa e PS-së është specifike dhe kërkon sanksione të ashpra, duke propozuar përjashtimin e 29 ligjvënësve opozitarë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare. Masat e kërkuara variojnë nga 10 deri në 60 ditë pezullim, në varësi të shkeljeve individuale të rregullores.
Megjithatë, mbledhja e sotme nuk prodhoi një vendim përfundimtar. Deputetët e opozitës kërkuan kohë shtesë për t’u njohur me materialet dhe argumentet e paraqitura në kërkesën e socialistëve. Përballë kësaj kërkese procedurale, Sekretariati vendosi shtyrjen e mbledhjes.
Shqyrtimi i masave disiplinore pritet të rifillojë në mbledhjen e ardhshme, e cila u caktua për në datën 23 dhjetor.
“Sekretariati shqyrtoi kërkesën e ardhur nga një grup deputetësh të grupit parlamentar të PS-së për marrjen e masave disiplinore për 29 deputetë të grupeve parlamentare të PD-së dhe PL-së. Sipas kërkesës deputetët e opozitës në mënyrë të organizuar dhe të parapërgatitur, kanë krijuar kaos dhe kanë bllokuar punimet e seancës plenare. Në kërkesë është kërkuar përjashtimi i 29 deputetëve nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare, me masa që variojnë nga 10 deri në 60 ditë. Për shkak se deputetët e opozitës kërkuan kohë të njihen me materialet, Sekretariati vendosi shtyrjen e mbledhjes për në datën 23 dhjetor.”, thuhet në njoftimin për shtyp.
/rtsh.al/