Kaosi në qiellin evropian, analiza e BBC: Kush mund të jetë pas kërcënimeve të rreme me bomba gjatë fluturimeve një ditë më parë
Paralajmërimet erdhën me shpejtësi, duke vënë në shënjestër kompani të ndryshme ajrore dhe aeroporte.

Të paktën 21 fluturime dhe disa aeroporte në të gjithë Evropën u prekën të enjten nga kërcënime për bomba.
Në pothuajse të gjitha rastet – me përjashtim të dukshëm të aeroportit Heathrow të Londrës – kërcënimet u konsideruan mjaftueshëm serioze për të bërë që avionët përkatës të devijonin nga itinerari i tyre, madje, në rastin e Italisë, për të ngritur në ajër avionë luftarakë që t’i shoqëronin.
Në fund, të gjitha këto kërcënime rezultuan të rreme. Megjithatë, kjo, natyrisht, nuk do të thotë se kërcënimet e radhës nuk mund të jenë reale.
Nuk është aspak e habitshme që natyra e njëkohshme dhe e koordinuar e këtyre mashtrimeve që synonin kompanitë ajrore, e ndërthurur me veprime të tjera keqdashëse në të gjithë Evropën, po i shtyn disa njerëz të drejtojnë gishtin e dyshimit nga Rusia.
Pas një serie sulmesh kibernetike dhe vëzhgimesh misterioze të dronëve mbi objekte të ndjeshme në fillim të këtij viti, gjatë ditëve të fundit kemi parë edhe ndërhyrje nga distanca në sistemet e ngrirjes së supermarketeve, si dhe në një bankë gjaku; një incident të dyshimtë në kufirin e Polonisë me Rusinë dhe, në gusht, një sulm me dron në aeroportin Leipzig Halle të Gjermanisë, për të cilin ministri i Brendshëm gjerman fajësoi publikisht Moskën.
Atëherë, a qëndron Rusia pas këtyre ngjarjeve?
Ka shumë njerëz që argumentojnë se, bazuar vetëm në prova rrethanore, ky duhet të jetë pa dyshim një tjetër shembull i asaj që njihet si luftë “hibride”, “në zonën gri” ose “nën pragun e konfliktit” – veprime që dëmtojnë infrastrukturën ose shoqërinë e një vendi, por që zakonisht kryhen në mënyrë anonime, mund të mohohen lehtësisht dhe mbeten nën nivelin që do të shkaktonte aktivizimin e Nenit 5 të NATO-s dhe, si rrjedhojë, mobilizimin e një përgjigjeje nga Perëndimi.
Moska është padyshim e zemëruar me NATO-n për mbështetjen që i jep Ukrainës dhe për faktin se, duke vepruar kështu, po pengon planet e Kremlinit për ta pushtuar atë vend dhe për t’i dhënë fund, në praktikë, pavarësisë së tij.
Blogerët rusë kanë sugjeruar gjithashtu se, nëse dronët e Ukrainës po i bëjnë aktualisht aeroportet ruse të pasigurta dhe sanksionet perëndimore po i pengojnë kompanitë ajrore ruse të përdorin hapësirën ajrore evropiane, atëherë përse vendet perëndimore nuk duhet të përjetojnë të njëjtën gjë?
Megjithatë, deri të enjten në mbrëmje, nuk kishte dalë asnjë provë konkrete që t’i lidhte këto kërcënime të rreme ndaj kompanive ajrore me Rusinë, Iranin apo me ndonjë grup të ndërmjetëm të kontrolluar prej tyre.
Të enjten në mëngjes, autoritetet e aeroporteve në Romë kishin marrë një email kërcënues, i cili pretendohej se ishte dërguar nga grupi i quajtur “Luftëtarët e Shtetit Mashkullor” (Fighters of the Male State).
Ky emër ka të ngjarë t’i referohet grupit rus Muzhskoi Legion, ose “Legjioni Mashkullor”, një grup i ekstremit të djathtë me bindje aq radikale saqë u ndalua nga një gjykatë në Moskë në vitin 2021.
Megjithatë, grupi vazhdoi të kishte dhjetëra mijëra ndjekës në internet në platformën Telegram, ndërsa përshëndeste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, vitin pasues.
Por email-i i dërguar në Romë, edhe nëse është autentik – dhe kush mund të thotë se nuk bëhet fjalë për një grup tjetër që fshihet pas këtij emri? – nuk ka gjasa të ofrojë gjurmët që u nevojiten policisë dhe autoriteteve aeroportuale për të zbuluar se kush po organizon këto kërcënime të rreme dhe për çfarë arsye.
Për forcat e policisë kombëtare, autoritetet aeroportuale dhe ministritë e transportit, të cilat po përpiqen të zbulojnë se kush fshihet pas këtyre kërcënimeve dhe si të minimizojnë ndikimin e tyre kur ato të përsëriten, detyra nuk është të nxjerrin përfundime duke u nisur nga ata që mendojnë se janë fajtorët më të mundshëm, por të ndjekin gjurmët konkrete dhe provat e pakundërshtueshme – nëse arrijnë t’i gjejnë ato./BBC