Kapet në Mirditë 35-vjeçari, kërkohej nga Interpoli për 71 vjedhje me armë në Itali

Policia e Mirditës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Mekanizmi”, duke kapur dhe arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Falë informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, në qytetin e Rrëshenit u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasi M. Zh. alias M. T., 35 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane, pasi Gjykata e Milanos, në vitin 2024, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për armëmbajtje pa leje, vjedhje me dhunë dhe shkatërrim të pronës, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve, gjatë vitit 2023, 35-vjeçari dyshohet se ka marrë pjesë në 71 raste vjedhjesh dhe tentativa për vjedhje me armë, në banesa të ndodhura në katër rajone të Italisë. Në këto ngjarje, anëtarët e grupit kriminal vepronin të armatosur dhe largoheshin nga vendngjarja me automjete.
Gjatë operacionit policor u sekuestrua edhe automjeti tip “Benz”, me të cilin lëvizte i ndaluari. Po ashtu, u procedua penalisht për veprën “Përkrahja e autorit të krimit” shtetasi G. N., 37 vjeç, banues në Mirditë, i cili drejtonte automjetin në momentin e ndalimit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme, ndërsa Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët italianë për finalizimin e procedurës së ekstradimit të 35-vjeçarit drejt Italisë.
/rtsh.al/