“Një dhuratë zemre”, Bashkia Devoll dhuron ndihma për 500 familje për festat e fund vitit

Me rastin e festave të fund vitit, bashkia Devoll ka ndërmarrë një nismë solidariteti duke shpërndarë mbi 500 pako ndihma për fëmijët dhe familjet në nevojë në të gjithë territorin e saj, me qëllim që asnjë familje mos mbetet pa mbështetje në prag festash dhe të përcjellë solidaritet në çdo derë.
Pakot përmbanin ushqime bazë, veshmbathje, detergjentë, çanta shkolle dhe lodra për fëmijët, duke sjellë sadopak gëzim në prag të Vitit të Ri për familjet me vështirësi ekonomike.
“Tashmë është bërë traditë që Bashkia Devoll me rastin e festave të fund vitit prej një jave kemi qenë në terren për të shpërndarë paketa ushqimore për t’ju gjendur sa më pranë njerëzve në nevojë”, u shpreh Zerina Sinani, Drejtore e Shërbimit Social, bashkia Devoll.
Shpërndarja është realizuar nga stafi i Drejtorisë së Shërbimit Social, i cili gjatë këtyre ditëve ka qenë në terren, pranë familjeve përfituese, deri në orët e mbrëmjes jo vetëm për të përfunduar shpërndarjen dhe për të arritur në çdo familje në nevojë para festave të fund vitit, por edhe për t’i uruar personalisht për festa dhe për t’u gjendur pranë në këtë periudhë të veçantë.
Gazetare: Gj. Liço
/rtsh.al/