Kapri: Dyfishimi i çmimit të karikimit të makinave elektrike godet qytetarin

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri e ka quajtur një vendim arbitrar atë të Entit Rregullator të Energjisë që ka dyfishuar çmimin e energjisë për karikimin e makinave elektrike në pikat publike.
Ky vendim që pritet të nisë zbatimin duke nisur nga data 1 nëntor 2025, sipas deputetit Kapri, ndikon drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve shqiptarë që kanë zgjedhur të përdorin një makinë elektrike për të reduktuar kostot që u vijnë si pasojë e rritjes së çmimit të naftës.
Në një videomesazh në rrjetet sociale, deputeti i Partisë “Mundësia” theksoi se, ky vendim godet pikërisht zgjedhjen e shumë qytetarëve për të përdorur automjete shumë më miqësore me mjedisin, në një kryeqytet ku cilësia e dobët e ajrit ndikon në uljen e jetëgjatësisë.
“Në Tiranë ndotja e ajrit i kushton jetën një qytetari të paktën 4 vite, ndërkohë që kostoja e naftës është rritur shumë ndaj përdorimi i mjeteve elektrike është edhe një mundësi për të pasur një buxhet më të mirë në fund të muajit. Por qeveria, e cila synon të na anëtarësojë në BE për 4 vite, merr vendime aspak europiane”, theksoi Kapri.
Sipas një vendimi të ditëve të fundit të muajit tetor, ERE njofton se duke filluar nga data 1 nëntor 2025, energjia për stacionet e karikimit do të kushtojë 22 lekë për kilovat-orë, ndërsa gjatë orarit të pikut, nga 18:00 deri në 23:00, çmimi arrin në 25.3 lekë për kwh.
/gj.m/j.p/