Seferi: Po vlerësohet mbulimi me sigurime për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale po vlerëson një nismë të re për mbulimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kategori në nevojë, përfshirë edhe kujdestarët që përfitojnë pagesë nga shteti, por që aktualisht nuk janë të përfshirë në skemat përkatëse të mbrojtjes sociale.
Zëvendësministrja Denada Seferi, gjatë diskutimeve në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, theksoi se kjo iniciativë vjen në vijim të politikave të ndërmarra për nënat e papuna me tre ose më shumë fëmijë, për të cilat tashmë kryhet mbulimi i kontributeve nga buxheti i shtetit.
“Pagesat e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore janë të parashikuara në ligjin ‘Për asistencën sociale’. Ndoshta në atë kuadër do të duhet të adresojmë edhe ndryshimet për përfshirjen e kujdestarëve. E kemi nisur këtë proces me faza, si në rastin e nënave të papuna me tre ose më shumë fëmijë dhe me të ardhura deri në 100 mijë lekë në muaj, të cilat kujdesen për fëmijët dhe nuk kanë mundësi punësimi”, u shpreh Seferi.
Ajo shtoi se ndër përfituesit e mundshëm të kësaj nisme janë edhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, përfshirë fëmijët me autizëm, të cilët ofrojnë kujdes të vazhdueshëm, por pa mbështetje të plotë nga skemat e sigurimeve.
“Po vlerësohet një nismë për mbulimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kategoritë më në nevojë, përfshirë edhe kujdestarët”, theksoi Seferi. /j.p/