E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi: Sektori energjetik shqiptar me potencial të lartë, projekte konkrete të gatshme për investitorët

TIRANË, 26 mars/ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi sot se sektori energjetik shqiptar ka hyrë në një fazë të re, e cila karakterizohet jo vetëm nga potenciali i lartë, por edhe nga pjekuria, besueshmëria dhe rezistenca e sistemit energjetik.

Në fjalën e tij gjatë edicionit të dytë të MatchMaker Albania 2026, platformë biznesi që bashkon investitorë, kompani dhe institucione vendase e ndërkombëtare, me mbi 1000 pjesëmarrës dhe më shumë se 400 takime të planifikuara, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Karakaçi theksoi se Shqipëria qëndron sot si një destinacion i përshtatshëm për investime të qëndrueshme dhe fitimprurëse.

“Investimet huaja kanë kaluar mbi 60 miliardë euro, dhe sektori energjetik është kontribuesi kryesor. Kjo shifër nuk është vetëm statistike, por një shenjë e qartë e besimit ndërkombëtar në stabilitetin, reformat dhe vizionin tonë afatgjatë”, tha Karakaçi.

Ai nënvizoi se ky përparim ka ardhur si rezultat i harmonizimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, avancimit të liberalizimit të tregut, shkëputjes së operatorëve dhe forcimit të integrimit rajonal.

Sipas ministrit, Shqipëria ka sot një bursë energjetike funksionale, ALPEX, dhe pjesëmarrja e vendit në tregjet rajonale është një hap konkret drejt një sistemi më konkurrues dhe transparent.

Po ashtu, tha ai, zhvillimi i energjisë së ripërtëritshme është përshpejtuar përmes ankandeve konkurruese, duke diversifikuar kombinimin energjetik dhe duke rritur pjesëmarrjen e energjisë diellore, që ul varësinë nga burimet hidrike dhe rrit rezistencën e sistemit.

“Ndërkohë, sot kemi një përqindje shumë të madhe nga energjia diellore, e cila rrit pjesëmarrjen e energjisë së ripërtëritshme, duke ulur varësinë nga burimet hidrike dhe duke rritur rezistencën e sistemit tonë. Në veri ka një projekt shumë të përparuar edhe për energjinë e erës, një nga më të mëdhenjtë në Europë. Janë dislokuar edhe panelet pluskuese diellore, duke rritur ndërlidhshmërinë. Këto po përmirësojnë fleksibilitetin e sistemeve dhe po mundësojnë një integrim më të lartë të burimeve të ripërtëritshme”, tha ministri.

Ne synojmë, vijoi ai, që deri në 2030-ën Shqipëria të jetë eksportuese neto e energjisë elektrike.

Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e krijimit të një sistemi modern, fleksibël, inteligjent dhe efikas, të harmonizuar me standardet e BE-së, duke përforcuar sigurinë juridike dhe transparencën ligjore për çdo investitor.

“Ambicia jonë është e qartë: synojmë të zgjerojmë kapacitetet tona të prodhimit dhe të arrijmë që Shqipëria të jetë eksportuese neto e energjisë elektrike deri në 2030. Por rritja vetëm nuk është e mjaftueshme; kjo fazë e ardhshme do të nxitet nga novacioni. Po hyjmë në një kapitull të ri, ku teknologjia dhe inovacioni janë në themel të strategjisë sonë energjetike. Digjitalizimi i sistemeve energjetike, matësit smart dhe automatizimi i të gjitha veprimtarive do të transformojnë mënyrën se si energjia prodhohet, shpërndahet dhe konsumohet. Objektivi ynë është të krijojmë një sistem modern, fleksibël, inteligjent dhe efikas, të harmonizuar me standardet e BE-së. Kuptojmë plotësisht se investimet në energji mbështeten te besimi. Për këtë arsye, ne do të avancojmë duke forcuar sigurinë juridike dhe transparencën ligjore, duke thjeshtuar procedurat, duke siguruar qartësinë e tarifave dhe duke përforcuar garancitë institucionale”, tha ministri.

Angazhimi ynë, vijoi ai, është të ofrojmë parashikueshmëri dhe besim për çdo investim.

“Sot Shqipëria nuk është vetëm një vend me potencial, por edhe një vend me projekte konkrete të gatshme për investim dhe me aftësi për t’i prodhuar, realizuar ose përshkallëzuar”, deklaroi Karakaçi. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›