Rama: Shqipëria, vend sovran në prodhimin e energjisë deri në fund të dekadës

TIRANË, 26 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se deri në fund të kësaj dekade Shqipëria do të jetë vend sovran në prodhimin e energjisë.
Kryeministri Rama mori pjesë në edicionin e dytë të MatchMaker Albania, platforma e biznesit që bashkon investitorë, kompani dhe institucione vendase dhe ndërkombëtare, me mbi 1000 pjesëmarrës dhe më shumë se 400 takime të planifikuara.
Rama theksoi se energjia nga një sektor që për një kohë kaq të gjatë lidhej me kufizime, me paqëndrueshmëri dhe me varësinë nga kushtet natyrore.
Ndërkohë, sipas tij, tani është sektor që lidhet me diversifikimin, me vizionin afatgjatë dhe me novacionin.
“Ne me shumë krenari po diversifikojmë portofolin e prodhimit të energjisë në mënyrë të qëndrueshme dhe po ecim drejt objektivit të madh ambicioz të sovranitetit të plotë. Kjo për të arritur një kohë në të ardhmen ku asnjë gjë të mos jetë e paparashikueshme. Ne besojmë se Shqipëria deri në fund të kësaj dekade ta prodhojë energjinë e vetë në mënyrë sovrane”, shtoi Rama. /j.p/r.e/