Karakaçi inspekton nënstacionin elektrik të Golemit: Dyfishim kapacitetesh për zonat turistike

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka inspektuar punimet në nënstacionin elektrik të Golemit, ku rritja e kapaciteteve pritet të ofrojë më shumë garanci për furnizimin me energji elektrike në të gjithë zonën bregdetare.
“Në kuadër të planit të masave për zonat turistike dhe bregdetare, ky është një nënstacion i ri ku kemi dyfishuar kapacitetet, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare për 50 mijë banorë që furnizohen nga ky nënstacion, përfshirë Mali i Robit, Golemin dhe Qerretin,” u shpreh Karakaçi.
OSSH ka parashikuar një plan masash për vitin 2026, që përfshin fuqizimin e nënstacionit të Porto Romanos, investime në plazhin e Golemit për rehabilitimin e disa fiderave, si dhe ndërhyrje në zonat problematike si Spilleja, ku do të riparohet linja për shkak të mbingarkesës.
Këto investime synojnë rritjen e standardit të furnizimit me energji elektrike për banorët dhe turistët, duke garantuar kushte më të mira për zhvillimin e zonave bregdetare.
/rtsh.al/