E Diel, 1 Nëntor 2026

Karanxha: Braho premton rritjen e standardit të provave në SPAK

Në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH 1 HD, ish-prokurori Ervin Karanxha ka komentuar zgjedhjen e Klodjan Brahos në krye të SPAK, duke vlerësuar procesin dhe duke theksuar rëndësinë e rritjes së standardit të provave në hetimet e ardhshme.

Karanxha u shpreh se të katër prokurorët që konkurruan për kreun e SPAK kanë çështje shumë të rëndësishme në duar dhe i plotësojnë kriteret, ndërsa vullneti i Këshillit të Lartë të Prokurorisë bëri që Braho të marrë shumicën e votave.

Ai veçoi intervistën e Klodjan Brahos, duke thënë se ajo që i pëlqeu më shumë ishte angazhimi për forcimin e standardit të provave.

“Nga intervista e Klodjan Brahos më pëlqeu se foli për standardin e provave, që do të thotë do të rrisë standardin që mos të çojmë në gjyq njerëz me supozime apo me thashetheme,” tha Karanxha.

Ish-prokurori nënvizoi se ky është një element thelbësor për besueshmërinë e drejtësisë.

“Mos të çojmë në gjyq njerëz me prova indirekte që janë thjesht të dyshimta, por një person çohet në gjyq kur ka prova,” u shpreh ai, duke theksuar se ky parim është garanci për një proces të drejtë dhe të paanshëm.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›