Alibali në “3D”: Vendimi i 22 janarit mund të riformatojë shtetin, nuk është çështja te zv/kryeministrja

Për juristin Neritan Alibali, përplasja institucionale mes Qeverisë dhe GJKKO-së, e cila ka përfunduar në dyert e Gjykatës Kushtetuese, shkon shumë përtej fatit politik të një ministri.
Në analizën e bërë në emisionin “3D” në RTSH, Alibali u shpreh se data 22 janar 2026, kur pritet të jepet vendimi për konfliktin e kompetencave, do të jetë historike për mënyrën se si do të funksionojë Republika e Shqipërisë në të ardhmen.
Alibali theksoi se fokusi i publikut te rasti konkret i Zv/Kryeministres Belinda Balluku është i gabuar. “Nuk është çështja e Balluku. Kjo është një çështje shumë e vogël për debatin që po bëhet,” tha ai.
Sipas juristit, ajo që është në lojë është vetë arkitektura kushtetuese e vendit dhe balanca e pushteteve.
Alibali paralajmëroi se ky vendim mund të përcaktojë nëse Shqipëria do të mbetet një Republikë parlamentare sipas Kushtetutës së vitit 1998, apo do të ketë mbivendosje të pushteteve mbi njëri tjetrin.
“Vendimi i Kushtetueses për këtë çështje mund të riformatojë shtetin. Do kemi republikën sipas kushtetutës së ‘98 apo një republikë ku një pushtet vendoset mbi tjetrin?,” ngriti pyetjen Alibali.
Ai shtoi se ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese është e domosdoshme pasi ligjvënësi nuk mund të parashikojë çdo situatë, dhe pikërisht këto “vakume ligjore” dalin në pah në momente krizash institucionale si kjo e tanishmja.
/rtsh.al/