E Hënë, 2 Nëntor 2026

Karçanaj: Digjitalizmi i shërbimeve publike, gati të kthehet në brand shqiptar

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karçanaj tha se sot, zhvillimi që ka shënuar digjitalizimi i shërbimeve publike e ka kthyer atë në një brand shqiptar dhe aset të diplomacisë ekonomike dhe eksporteve.

E pranishme në takimin që u zhvillua në Berat me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit, start up-eve, Karçanaj vlerësoi rolin e AKSHI-t, në agjendën digjitale të Shqipërisë dhe transformimin drejt një zhvillimi të ri të shërbimeve publike digjitale.

“Digjitalizimi i shërbimeve publike që ofron sot AKSHI, ka mundësuar krijimin e standardeve në këtë drejtim. Kemi krijuar një treg IT tani që falë menaxhimit tonë konkurrojmë dukshëm në Europë. Synimi ynë të mbajmë dhe të forcojmë talentet shqipate në fushën e IT. Ne duhet të fokusohemi te cilësia e arsimit të lartë, te kurrikulat dhe qasja e nevojave për studentët e fushës duke u ndërlidhur me strategjinë që ka qeveria për për të ardhmen e teknologjisë. Ne duhet të mësojmë ata që na duhen”, theksoi Karçanaj.

Ajo solli në vëmendje se studentët që punësohen në AKSHI, minimumi iu duhet të kalojnë një periudhë prej dy vitesh trajnim në AKSHI dhe pikërisht kur ata janë gati, ata shkojnë dhe hapin kompanitë e tyre, apo në kompani private me rrogë më lartë, duke ndihmuar  zhvillimin e tregut dhe industrinë e fushës.

“Digjitalizmi i shërbimeve publike tashmë është gati të kthehet në një brand shqiptar, sepse janë mbi 60 vende që duan zgjidhje të qeverisjes elektronike, ndërkohë që Shqipëria ka një portofol të dokumentuar dhe ka shumë përvojë, bashkë me sipërmarrjen private, dhe është gati ta çojë këtë përvojë tek këto 60 vende plus”, u shpreh Karçanaj.

“Ka ardhur koha ta çojmë digjitalizimin e shërbimeve publike në një aset të diplomacisë ekonomike dhe eksporteve”, tha drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›