Ndezi zjarr në Borsh, procedohet penalisht 51-vjeçari

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Ndezi zjarr për pastrim dhe si pasojë u dogj një sipërfaqe toke me bimësi në fshatin Borsh, identifikohet dhe procedohet penalisht 51-vjeçari.
Policia bëri të ditur se si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve të shpejta për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë identifikuan shtetasin M. K., i cili dyshohet se ka ndezur zjarr për pastrimin e barit në një sipërfaqe toke, në afërsi të banesës së tij, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke kullotë, me shkurre dhe me ferra.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. K., 51 vjeç, banues në fshatin Borsh, Himarë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apeloi të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.