E Martë, 3 Nëntor 2026

Karçanaj në Bruksel: Me Inteligjencën Artificiale menaxhohen 60% e incidenteve kibernetike

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Në Bruksel është mbajtur sot, mbledhja e 16-të e Nënkomitetit për Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikat Sociale.

Në këtë mbledhje morën pjesë edhe një përfaqësi nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ndërsa drejtuesja e këtij institucioni, Linda Karçanaj në cilësinë e bashkënegociatores për kapitullin e Transformimit Digjital dhe Medias, në fjalën e rastit të mbajtur në këtë mbledhje parashtroi para partnerëve evropianë progresin që ka bërë Shqipëria në fushën e inovacionit dhe qeverisjes digjitale.

“Nga sportelet e pafund, te një shtet digjital në xhepin e qytetarit: 95% e shërbimeve publike online, 49 milionë shërbime të kryera në e-Albania, 40 milionë dokumente të vulosura elektronikisht. Në arsim, çdo fëmijë mëson të kodojë që në klasën e parë, ndërsa mbi 1 milion dëftesa janë gjeneruar me vulë elektronike përmes sistemit SMIP. Në shëndetësi, gjithçka është digjitale, recetat, vërtetimet e vaksinave, raportet mjekësore”, tha Karçanaj.

Ndër të tjera, drejtuesja e AKSHI-t shprehet në një postim në rrjetet sociale, se si rezultat i digjitalizimit janë përfituar 620 milionë euro të kursyera, 7600 vite pritje të shmangura, 75,5 milionë fletë letre të kursyera dhe 378 tonë CO₂ më pak.

“Ndërsa kemi hyrë në një kapitull të ri, atë të Inteligjencës Artificiale,të pranishmit u njohën me projektet tona ambicioze dhe se si po i përdorim përfitimet e kësaj teknologjie. Me Diellën 3.0, mjafton një komandë zanore për të gjeneruar 54 dokumentet e para me vulë digjitale. IA ndihmon në përafrimin me legjislacionin e BE-së duke mundësuar përkthimin me mbi 96% saktësi dhe duke gjeneruar automatikisht tabelat e përputhshmërisë. Me AI menaxhohen automatikisht 60% e incidenteve kibernetike në SOC-un qeveritar”, pohoi Karçanaj, ndërsa shtoi se “ka nisur puna për përmirësimin e sistemit të prokurimeve publike, i cili falë IA do të jetë gjenerata e ardhshme e transparencës dhe efikasitetit.

Ndër të tjera, Karçanaj ndau edhe vlerësimin e kryetarit të këtij nënkomiteti, i cili foli progresin e Shqipërisë në transformimin digjital.

“Nuk jemi xhelozë për zhvillimin tuaj, jemi krenarë për ju”, tha ai.

Nga mbledhja e 16-të e Nënkomitetit për Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikat So... 1 nga 7

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›