E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: 450 shkolla të reja në gjithë vendin, me standardin më të mirë evropian

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot se në të gjithë vendin janë ndërtuar 450 shkolla të reja, të cilat nuk janë si në Evropë, por janë si shkollat më të mira të Evropës.

Kryeministri Rama foli sot në Shkodër gjatë prezantimit të projektit të rilindjes se plotë të shkollës “Ismail Qemali” duke u bërë një institucion arsimor i hapur për komunitetin dhe krijimin e mjediseve të përshtatshme për edukim, arsimim në kushte bashkëkohore dhe zhvillim të aktiviteteve të ndryshme në shërbim të nxënësve.

“Gjëja e bukur dhe shumë e veçantë që përkon me historinë e shkollës është fakti që sot ne jo vetëm nisim një proces transformimi rrënjësor të shkollës, por e nisim mbështetur mbi një projekt shumë të bukur që është donacion i një studioje ndër më prestigjiozet sot të Evropës, e cila prej disa vitesh punon edhe në Shqipëri. Nuk i di rrethanat ekzakte, por më thanë që ishin lidhur me Benetin për të bërë një dhuratë për fëmijët e shkollës “Ismail Qemali”, por edhe një ogur shumë i mirë për të nesërmen e shkollës, për historinë e saj, për rrënjët e saj dhe për aq shumë breza që kjo shkollë ka edukuar, meritonte një projekt shumë të veçantë siç është ky projekt, që jam i bindur do të jetë një nga shembujt më të bukur të arsimit të rilindur në Republikën e Shqipërisë”, tha Rama.

Rama nënvizoi edhe faktin se pajisja e shkollave me laboratorët inteligjentë është një tjetër angazhim i qeverisë shqiptare. Sipas Kryeministrit “deri tani janë rreth 300 laboratorë dhe do shkojnë në 900 në totalin e tyre”.

“Dhe do jetë shumë bukur kur në këtë anijen kozmike të shohim edhe laboratorin inteligjent për fëmijët që do të mësojnë teknologjinë”, vijoi Rama.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë bëri me dije se “nuk është vetëm shkolla “Ismail Qemali” ku po ndërhyhet, por një sërë shkollash në Shkodër ku po investohet dhe po punohet për transformimin e tyre, qoftë tërësor, qoftë për ndërtimin e infrastrukturës së tyre sportive dhe konviktet e shkollave profesionale”.

“Janë pesë shkolla ku puna ka filluar, ndërkohë që janë edhe katër shkolla të tjera, ku përfshihet dhe “Ismail Qemali”, që janë me financimet e qeverisë shqiptare për këtë vit”, pohoi Rama.

1 nga 9

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›