E Martë, 3 Nëntor 2026

Katër fluturime në javë Barcelonë – Tiranë, Çela: Shqipëria destinacion turistik në rritje

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Fluturimi i parë i kompanisë “Vueling” nga Barcelona drejt Tiranës, u ul dje në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA).

TIA njofton se “me katër fluturime në javë nga Barcelona, ky partneritet i ri forcon lidhjet e Shqipërisë me Spanjën dhe Europën përmes aeroportit El Prat, duke sjellë më shumë mundësi për udhëtarët”.

Fluturimi inaugurues nga Barcelona drejt Tiranës shënon hyrjen zyrtare të “Vueling” në tregun shqiptar dhe shton një aktor të ri të rëndësishëm në rrjetin në rritje të TIA-s.

TIA njofton se si pjesë e grupit IAG dhe me Barcelonën si qendër kryesore, “Vueling” ofron një lidhje të gjerë nëpër Evropë. Prezantimi i fluturimeve të drejtpërdrejta midis Tiranës dhe Barcelonës, që operojnë katër herë në javë (të hënë, të mërkurë, të premte dhe të dielë), u ofron udhëtarëve shqiptarë akses më të gjerë jo vetëm drejt Spanjës, por edhe lidhjeve të mëtejshme nëpër Evropë përmes aeroportit El Prat.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që inaugurojmë këtë shërbim të ri të drejtpërdrejtë midis Barcelonës dhe Tiranës. Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë interes nga udhëtarët evropianë, dhe jemi krenarë që po i afrojmë këto dy qytete dinamike më shumë se kurrë. Si qendra kryesore e Vueling, Barcelona mbetet e përkushtuar për të rritur lidhjet rajonale, duke ofruar tashmë për udhëtarët nga Tirana një mënyrë të lehtë dhe të qasshme për të zbuluar qytetin tonë”, tha Jordi Pla, shef i Rrjetit dhe Strategjisë në “Vueling”.

“Mikpritja e “Vueling” në Tiranë është një moment historik që pasqyron tërheqjen gjithnjë e më të madhe të aeroportit në nivel global”, tha Piervittorio Farabbi, drejtor operacional në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

“Prania e “Vueling” jo vetëm që lidh Tiranën me një nga qytetet më të gjalla të Evropës, por gjithashtu me rrjetin e gjerë të saj. Kjo është një hapje e vlefshme për të zgjeruar mundësitë e udhëtimit për pasagjerët tanë dhe për të pozicionuar TIA-n si një qendër rajonale në aviacion”, pohoi ai.

Ndërsa, Zana Çela, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, u shpreh se “fillimi i fluturimeve direkte nga Barcelona me “Vueling” është një tjetër tregues i njohjes ndërkombëtare në rritje që po merr Shqipëria si destinacion. Këto lidhje janë thelbësore për forcimin e sektorit tonë të turizmit dhe për ndarjen e bukurive natyrore dhe pasurisë kulturore të Shqipërisë me një audiencë më të gjerë evropiane”.

Hyrja e “Vueling” në tregun shqiptar është pjesë e një tendence më të gjerë të interesit në rritje nga kompanitë ndërkombëtare, duke reflektuar atraktivitetin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe investimi. Kjo linjë e re pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e turizmit hyrës nga Spanja dhe Evropa Perëndimore, veçanërisht gjatë sezonit veror.

/e.i//a.f//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›