Sulmuesi Gruda largohet nga Vllaznia

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Ildi Gruda është larguar zyrtarisht nga Vllaznia. Sulmuesi ka zbuluar vendimin, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Lojtarit i kishte përfunduar kontrata me shkodranët dhe nuk u rinovua, duke bërë që ai të largohet.
“Përshëndetje të gjithëve. Dua t’ju njoftoj se nga sot rrugëtimi im me Vllazninë përfundon këtu.
“Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për këto dy vite të jashtëzakonshme së bashku. Faleminderit nga zemra të gjithëve, nga i pari tek i fundit për çdo mbështetje, respekt dhe përkushtim.
“Një falënderim i veçantë shkon për djemtë e ekipit, me të cilët kam ndarë momente të bukura, të forta e të paharrueshme. Luftuam çdo ditë krah për krah për objektivat tona dhe krijuam një lidhje që shkon përtej fushës së lojës.
“Gjithashtu, faleminderit sportdashësve shkodranë për mbështetjen e palodhur në çdo ndeshje, në fitore e në humbje. Zemra juaj ka qenë gjithmonë forca jonë më e madhe.
I uroj Vllaznisë shumë suksese në Kupat e Europës dhe në çdo garë tjetër, me dëshirën e madhe qe titulli kampion të kthehet sërish në Shkodër”, shkruan sulmuesi.
E ardhmja e Grudës nuk është vendosur ende, ndërsa përflitet për një kalim të mundshëm tek Egnatia.
/gj.m//r.e//a.f/