E Martë, 3 Nëntor 2026

Këlliçi: Drejtori i inceneratorit të Tiranës përfitoi fondet e IPARD, SPAK të reagojë

Anëtari i kryesisë së PD, Belind Këlliçi ka denoncuar para SPAK,  Elton Buallit, drejtorit të inceneratorit të Tiranës, se ka përfituar nga fondet IPARD për llogari të tij, para që duhet të shkonin për fermerët  dhe bujqësinë.

Para SPAK, Këlliçi tha se Elton Buallit përmes Stella Gugalles në AZHBR ka përfituar 310 mijë euro nga fondet e programit IPARD.

“Kemi nisur serinë e denoncimeve para zyrave të SPAK për atë që tashmë quhet organizata partnere e PS. Kemi ardhur për të vijuar denoncimet për një anëtar të grupit të strukturuar kriminal të inceneratorit të Tiranës, Elton Buallin. Po flasim për individin që ka figuruar shpesh herë si drejtor i inceneratorit të Tiranës, inceneratorit të Fierit, në komunikimet në Zimbabve, në komunikime me Mirel Mërtirin, në komunikime kyçe me Bashkinë e Tiranës ku vendosej se ku do depozitoheshin dherat dhe në projektet qindra milionë eurosh në resortet ku do investonin prestanomet e inceneratorit të Tiranës në Tunizi.

Ky individ ka marrë 500 mijë euro hua nga ITS e Klodian Zotos për të blerë një truall dhe kjo është një nga dy kontratat e blerjes së tokës në landfillin e Sharrës. Dhe për të aplikuar më pas përmes Stella Gugalles në AZHBR dhe për të përfituar 310 mijë euro nga fondet e programit IPARD. Pra, paratë që duhet të merrnin ata që punojnë në bujqësi, fermerët tanë, i ka marrë drejtori i inceneratorit të Tiranës bashkë me Stela Gugallen për të ndërtuar një serë”, tha Këlliçi.

Këlliçi tha se PD ka nisur denoncimet ndaj Elton Buallit që në 2020 me dokumente, por sipas tij SPAK Nuk ka “ndërmend të veprojë”.

“E cila edhe sot që flasim vijon të mos sekuestrohet nga SPAK. Nuk e di se sa dokumente duhet të sjellim ende në SPAK. Por edhe nëse nuk ka funksionuar posta, sot i kemi bërë në format më të madh për të zbardhur për t’u ardhur në ndihmë prokurorëve për të zbardhur aferën më të madhe që ka parë Shqipëria dhe Tirana që është inceneratori i Tiranës, që deri tani ka kushtuar 132 milionë euro nga taksat tona. Kreu i këtij grupi të strukturuar kriminal vijon të mbetet Erion Veliaj”, tha Këlliçi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›