E Hënë, 2 Nëntor 2026

Këngëtarja Frensi Revania flet për këngën “Tresh”: Prezantimi në Fest. 64, një përgjegjësi e madhe

Këngëtarja Frensi Revania ka folur mbi këngën e saj “Tresh” në emisionin “Në Kohë Reale” me të cilën do të garojë edhe në Festivalin e 64 të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.’

Revania tha se pas publikimit të këngës së saj në kanalin e YouTube të RTSH-së, ka pasur reagime pozitive.

Sipas saj, kjo është një këngë që i përshtet vokalit të saj.  

 “Reagimi ishte i mirë, sidomos nga familjarët dhe miqtë e mirë më të mirë. Kam ardhur me diçka pak më ndryshe se vjet, pak më te stili im. Besoj edhe publiku e dallon më shumë karakteristikat e mia të vokalit te kjo këngë specifike dhe mund të them se jam goxha e kënaqur me feedback-un që kam marrë deri tani. Ka pasur komente, reagime disa telefonata që unë kam marrë”, u shpreh Revania ndërsa bëri të ditur se kompozimi i këngës “është nga Inis Neziri, teksti është nga dikush që do të qëndrojë me nickname-n “Banda”, dhe orkestrimi Kejdi Musta. Është një bashkëpunim që unë do ta mbaj mend ndër vite sepse më kanë gjetur fiks një këngë për vokalin tim”

Revania shpjegoi edhe historinë se si lindi kënga “Tresh”.

“Është histori interesante. Mua kënga më erdhi gati, disa ditë përpara se të dërgohej.  Thjesht kanë menduar që do t’i shkonte vokali im kësaj kënge dhe ma kanë gjetur fiks. Kam dashur të vij me një material në lidhje me dashurinë, në lidhje me… pse jo tradhtinë, pse jo lëndimin siç është kjo këngë. Por që nuk kisha menduar diçka konkrete dhe të gjitha komponentët që dua t’i jap një kënge sikur ma kanë sjellë në një pjatë të argjendtë”, tha këngëtarja.

Ajo vuri në dukje më tej se performanca në skenën e Festivalit të 64 në RTSH që do të mbahet në datat 17-20 dhjetor do të jetë një përgjegjësi e madhe.

 “Gjithmonë është e vështirë, por duke qenë se unë kam qenë edhe vjet në festival, unë besoj është pak më rehati këtë vit. Jam mësuar edhe me Live. Orkestra nuk ka lidhje me bandat e vogla, është një fuqi dhe përgjegjësi shumë e madhe dhe shpresoj që të dalë sa më mirë. Mezi pres ta dëgjoj këtë këngë te Pallati i Kongreseve, ne nuk kemi nisur akoma provat atje dhe jam shumë kurioze se si do të tingëllojë”, tha më tej këngëtarja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›