Kërcënimet me bomba, fushatë kërcënimesh? Mesazhe në 140 adresa elektronike të institucioneve

Një e-mail kërcënues, që pretendon se në institucionet shqiptare janë vendosur lëndë shpërthyese, ka vënë në lëvizje Policinë e Shtetit. Mesazhi, i dërguar në adresat elektronike të disa institucioneve dhe mbi 140 personave, përmban kërcënime për shpërthime, por edhe kërcënime.
Dërguesi prezantohet si udhëheqës i milicisë serbe dhe pretendon se ka vendosur një mjet shpërthyes në ndërtesa institucionale, i cili do të shpërthejë pas një ore. E-maili përmban gjithashtu kërcënime me vrasjen e shqiptarëve dhe referenca ndaj Kosovës, duke e lidhur kërcënimin me mosnjohjen e saj si territor serb.
Nga verifikimet e kryera deri më tani Policia nuk ka konstatuar asnjë rast të vendosjes së lëndëve shpërthyese dhe se bëhet fjalë për alarme të rreme. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike thotë se mesazhet janë pjesë e një fushate të koordinuar, e cila ndjek një model të evidentuar edhe në të kaluarën dhe synon përhapjen e dizinformimit dhe shkaktimin e kaosit.
Krimi kibernetik deri në këto momente ka verifikuar se mesazhi kërcënues ka mbërritur nga e-mail i një universiteti në Kolumbi dhe se dyshohet që adresa të jetë e hakeruar.
Alarmi për bombë këtë të premte vjen pas një sërë e-mail kërcënuese drejtuar institucioneve dhe disa qendrave tregtare në vend gjatë muajve të fundit. Ndërkohë përmbajtja e e-mailit ngre dyshime jo vetëm për një kërcënim të mundshëm por edhe për një përpjekje për të përhapur panik dhe për të krijuar kaos.