Kërcënimet ndaj pronarit të MCN TV, Prokuroria nis hetimet

Një kallëzim i depozituar më 10 mars në polici nga pronari i MCN TV Endri Meksi, është referuar në Prokurori, ku me short është caktuar prokurorja e çështjes dhe është regjistruar procedim penal.
Sipas burimeve. çështja po hetohet nga prokurorja Silvana Lule.
Denoncimi është bërë nga vetë Meksi, cili ka deklaruar se është kërcënuar.
Më 18 mars, ai ka depozituar edhe një ankim në Prokurori, lidhur me pretendimet për mosndjekjen e çështjes.
Ndërkohë, Meksi ka dhënë detaje shtesë para oficerëve të policisë gjyqësore, pas një denoncimi publik të bërë mbrëmjen e së dielës, duke dorëzuar gjithashtu të dhëna dhe materiale shtesë që, sipas tij, lidhen me hetimin në vijim.
Kujtojmë se, pas sulmit të bërë ndaj tij në 10 Mars, ku u kërcënua nga disa persona të maskuar, Endri Meksi është vendosur ditët e fundit sërish në “shënjestër” të kërcënimeve.
Në po të njëjtën formë, njerëz të veshur me maska kanë hyrë sërish në ambientet e MCN Tv, televizionit ku ai është pronar dhe kanë tentuar kësaj rradhe ta dhunojnë, jo vetëm ta kërcënojnë.
Ditën e djeshme, Meksi dha një intervistë në televizionin ku është pronar duke bërë deklarata të forta, si të aspektit personal, ashtu edhe për akuza ndaj zyrtarëve më të lartë të policisë së shtetit që i akuzon se kanë hyrë në lojëra të forta mes tenderave të AKSHI-t, lojërave të fatit, apo ARRSH.
Meksi pranoi publikisht se prej tre vitesh ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore në MCN me një prej kolegeve të televizionit aty, një marrëdhënie që ka përfunduar në fund të 2025, por që atij vetë i ka shkaktuar shkatërrimin e familjes, divorcin me bashkëshorten e tij.
“Jeta ime private ka ndikuar tej mase dhe në klimën e MCN TV dhe unë për këtë arsye vendosa të dilja të flisja. Dje kur u ripërsërit incidenti i darkës unë vura re fytyrat e shqetësuara të kolegëve që ishin në televizor, pak a shumë ishte ndërrim turni ora tetë pa një minutë. Shqetësimi i tyre me fytyrat e prera më bezdisi goxha, sepse, pavarësisht se unë e kam marrë me sportivitet dhe me pak humor gjithë këtë eksperiencë të tre viteve të fundit, gjykova që tashmë kupa është derdhur.
Pra ky skenar, që kam zgjedhur që të rrjedhin gjërat se ndoshta do të zbardhen rrugës, ndoshta nuk ishte më momenti për ta bërë sepse tashmë ndikohet totalisht puna juaj. Unë e vlerësoj shumë punën e pavarësinë tuaj, të të gjithëve bashkë, ju me njihni prej kaq e kaq vitesh tanimë, sa herë ju ndërhyj dhe sa herë ju bezdis. Dhe në këtë sens u ndjeva shumë i trishtuar që ju vuani nga fëlliqësirat e mia.
Une per tre vite rresht kam pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me një kolege të punës këtu që ju të gjithë e njihni po asnjeri prej jush nuk ka folur asnjëherë. Marrëdhënia ime ka shkuar shumë keq e kjo marrëdhënie u prish në vitin 2025, dhe kjo marrëdhënie mbaroi në nëntor-dhjetor 2025 kur janë edhe përplasjet më të mëdha.
Unë nuk e di cili është shkaku ndaj e referova edhe në prokurori disa emra dhe ta bëjë punën prokuroria”, tha ai në intervistën dhënë sot në MCN TV mbi dyshimet që ka për sulmet më të fundit ndaj tij.
“Për sigurinë time nuk kam frikë fare. Për sigurinë e familjes sime shpresoj që jo, jam i qartë që i kam rënë në qafë. Unë kam vazhduar të bëj gjithë detajet ligjore. Vazhdoj të bëj ankimime tenderash, në formë konstante pa u bezdisur. Në formë konstante u kam folur kolegëve të mi të IT në MCN që mos u dorëzoni se ata kanë ditur historinë. “Ju bëni punën tuaj”. Dhe në këtë sens do të doja të vlerësoja edhe rolin e Gerond Meces i cili ka pasur të njëjtin insistim. Dhe më është shtuar respekti për të. Jam akuzuar se kam qenë partner me të. Nuk kam qenë kurrë partner me të, kam bashkëpunuar me të”, shtoi ai duke përmendur një emër jo pak të njohur deri tani në fushën e tenderave të AKSHI-t.