VIDEO/ Babai i Ervis Martinajt paraqitet në GJKKO: Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, është ekzekutuar në…

Babai i Ervis Martinajt, Mustafa Martinaj u paraqit këtë të hënë në GJKKO për procesin mbi pasuritë e të birit.
Nga gjykata e Posaçme, ai u shpreh se nuk ka fuqi për hakmarrje, ndërsa pretendon se djali i tij është ekzekutuar në Durrës.
“Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës. Jam babai dhe e di. Për këtë çështje kam dhënë shpjegime edhe tek agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit”, u shpreh ai jashtë kamerave.
Martinaj u shpreh gjithashtu se nuk ka mundësi të merret me çështje, duke theksuar gjendjen e tij shëndetësore.
“Nuk kam për çfarë të interesohem më shumë. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Kam ardhur sepse më ka thirrur gjykata. Jam invalid dhe kam bërë disa ndërhyrje shëndetësore. Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore”, tha ai.
Seanca e radhës për konfiskimin e pasurive është shtyrë për pas dy javësh, ndërsa në GJKKO vijon shqyrtimi i kërkesës së SPAK për konfiskimin e disa pasurive që dyshohet se i përkasin Ervis Martinajt.
Në vitin 2023 me vendim të GJKKO, Martinajt, familjarëve të tij dhe personave të lidhur me të iu sekuestruan 34 pasuri.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej gushtit 2022 dhe ndaj tij nuk ka ende asnjë gjurmë.