E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kërkesa e PD për njohjen e gjenocidit serb, Balla: Bojkoti i protestës në mbështetje të UÇK, kundër interesit të Kosovës

Kërkesa e PD-së për mocion me debat të finalizuar me rezolutë për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë ka nxitur debate e diskutime në seancën plenare. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla deklaroi se asnjë kërkesë që mban firmën e kryedemokratit Sali Berisha e që lidhet me Kosovën nuk ka prapavijë pozitive. Balla theksoi se vendimi i demokratëve për bojkotimin e protestës së nesërme (17 tetor) në mbështetje të UÇK-së është konfirmim i veprimeve kundër interesit të Kosovës.

“Emergjente. Asgjë që vjen nga Berisha e kur lidhet me Kosovën nuk ka për të ardhur kurrë ndonjëherë për mirë. Vendimi i PD i bërë publik dje për të bojkotuar protestën e nesërme në mbështetje të UÇK-së është konfirmimi i qëndrimeve dhe veprimeve kundër interesit të Kosovës. Meqë thatë se s’doni të jeni krah nesh e kryeministrit, kryeministri s’do jetë nesër. Pse nuk vini? Me kushtin që të mos e politizojmë.

Bëni nesër një protestë meqë s’doni të vini me organizatat e veteranëve të luftës së UÇK.

Bëni një në SHQUP ose në një shesh tjetër dhe në këtë rast do ju vijnë më shumë, se kjo është një çështje që na bashkon, një komb një qëndrim. Historia e ka treguar se rastësia mundtë ndodh 1, 2 por jo gjithmonë. Që në mandatin e tij të parë si presidenti, i pari vendit asokohe, me shumë veprime ju vu ndesh interesit të Kosovës. A ishte shkelja e embargos së OKB kundër furnizimit me naftë të Millosheviçit në dëm të Kosovës? Si ka mundësi që në krye të kësaj shkelje ishte vetë PD?

Si ka mundësi që dëshmitarët e takimit Berisha-Millosheviç u përndoqën dhe u vranë? Si ka mundësi që pas këtij takimi në Shqipëri do vinte kasapi i Ballkanit për tu takuar me shefin e shërbimit sekret të saj kohe?”, tha Balla.

Protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë do nisë ditën e nesërme (17 tetor) në orën 17:00, ku do të marrin pjesë figura të rëndësishme politike, si ish-presidenti Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Në mbështetje, do të ketë edhe nga rektorë universitetesh, tifozët “Kuq e Zi”, si dhe nga shumë qytetarë e shoqata në Kosovë e Shqipëri. Qëllimi i protestës është shprehja e solidaritetit me ish-krerët e UÇK-së që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare, dhe kundërshtimi i asaj që e konsiderojnë padrejtësi në proceset gjyqësore në Hagë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›