“Kërkesat tona refuzohen”/ Bardhi: Shumica parlamentare po përdoret për të shmangur kontrollin efektiv

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi përmes një postimi në “Facebook” ka dhënë detaje nga fjala e tij në Tryezën e nivelit të lartë “Forcimi i Qeverisjes Demokratike dhe Ndryshimit Transformues”.
Bardhi shkruan se ka theksuar se roli i Kuvendit të Shqipërisë është kyç në këtë drejtim dhe se nuk duhet të jetë thjesht një mekanizëm formal për miratimin e ligjeve të propozuara nga qeveria. Ai shtoi se Kuvendi duhet të jetë një hapësirë reale debati, kontrolli dhe llogaridhënieje.
Ndër të tjera, kreu i Grupit Parlamentar të PD ka listuar sfidat të cilat sipas tij janë kufizimi i hapësirës së debatit, mungesa e transparencës në proceset vendimmarrëse dhe përdorimi i shumicës parlamentare për të shmangur kontrollin efektiv.
Reagimi i plotë: Gjatë fjalës time në Tryezën e nivelit të lartë “Forcimi i Qeverisjes Demokratike dhe Ndryshimit Transformues” , të organizuar nga Ambasada Britanike dhe WMF për Demokraci, ndër të tjera theksova se: Demokracia nuk është një gjendje e dhënë njëherë e përgjithmonë. Ajo është një proces që kërkon vigjilencë të përditshme, institucione të forta dhe mbi të gjitha vullnet politik për të respektuar rregullat e bashkëjetesës demokratike. Roli i Kuvendit të Shqipërisë është kyç në këtë drejtim. Parlamenti nuk duhet të jetë thjesht një mekanizëm formal për miratimin e ligjeve të propozuara nga qeveria, por një hapësirë reale debati, kontrolli dhe llogaridhënieje. Në këtë kuptim, opozita nuk është pengesë, por një komponent i domosdoshëm i një demokracie funksionale. Një opozitë e fortë dhe e dëgjuar garanton balancën e pushteteve dhe mbron interesin publik. Megjithatë, realiteti që përjetojmë shpesh na tregon se ky rol nuk është gjithmonë i lehtë për t’u ushtruar. Sfida të tilla si kufizimi i hapësirës së debatit, mungesa e transparencës në proceset vendimmarrëse dhe përdorimi i shumicës parlamentare për të shmangur kontrollin efektiv, dëmtojnë besimin e qytetarëve tek institucioni dhe cënojnë interesin publik. Është fakt tashmë i njohur botërisht se kërkesat e deputetëve të opozitës për informacion mbeten pa përgjigje. Kërkesat tona për interpelanca dhe pyetje me kryeministrin apo anëtarët e qeverisërefuzohen, ndërsa kërkesat tona për ngritjen e komisioneve hetimore rrëzohen. Projektligjet tona po ashtu votohen kundër përpara se të lexohen, edhe pse në disa raste të njëjtat nisma ligjore merren nga qeveria apo mazhoranca dhe miratohen.