Kërkime të përbashkëta shkencore mes Autoritetit të Dosjeve dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ Autoriteti i Dosjeve dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës, nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim shkëmbimin e dokumentacionit dhe forcimin e lidhjeve akademike në fushën e studimeve historike mes dy vendeve.
Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, dr. Gentiana Sula dhe një përfaqësi e këtij institucioni pritën sot në një takim përfaqësuesit e Institutit Albanologjik të Prishtinës, i kryesuar nga prof. asoc. dr. Meliza Krasniqi. Gjatë takimit u nënshkrua edhe marrëveshja.
Kryetarja e Autoritetit, dr. Gentiana Sula, theksoi kompleksitetin e historive të jetëve njerëzore që dokumentohen në Fondin e Kosovës, ku pasqyrohen fatet e qytetarëve që u larguan nga lufta dhe trajtimin e tyre nga ish-Sigurimi. Ky partneritet do të kontribuojë në hulumtimet shkencore historike me një qasje të kujdesshme etike dhe ligjore.
Përfaqësuesja e Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. asoc. dr. Meliza Krasniqi vlerësoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi në fushën e kërkimeve shkencore dhe në ndriçimin e historisë sonë të përbashkët.
Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit parashikon realizimin e kërkimeve shkencore si dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta, konferenca dhe simpoziumeve, shkëmbimi i dokumenteve dhe publikimeve, si dhe studimi i figura historike e ngjarje të lidhura me periudhën e diktaturës.
Sipas njoftimit të Autoritetit të Dosjeve, disa nga format e bashkëpunimit për vitin 2026 pritet të jenë hapja në Prishtinë e ekspozitës së tipologjive të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit; bashkorganizimi i Simpoziumit për kalimet e dyanshme në kufirin verilindor Shqipëri-Kosovë; organizimi i Dosjeve të Hapura për figurat historike të Albanologjisë; Klube libri si dhe botime të përbashkëta dokumentare me interes publik.
Autoriteti i Dosjeve, cilëson në njoftim se “bashkëpunimi i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) me Institutin Albanologjik të Prishtinës lejon shkëmbimin e njohurive dhe burimeve arkivore për të dokumentuar dhe analizuar periudhën 1944-1991 në të dyja territoret, duke ofruar një perspektivë më të plotë të përndjekjeve dhe politikave represive të ushtruara nga Sigurimi i Shtetit dhe organet jugosllave”.
“Ai forcon drejtësinë tranzicionale përmes studimit të përbashkët të dosjeve, duke ndihmuar viktimat dhe historianët të gjejnë të vërtetën për ngjarje si demonstratat e 1981-ës apo spastrimet etnike në Kosovë”, thuhet në njoftim, ndërsa cilësohet se ky partneritet kontribuon në ndërtimin e një narrative të përbashkët historike mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke promovuar unitetin dhe edukimin qytetar.
Bashkëpunimi mbështet integrimin evropian duke ndjekur modele të ngjashme, si ai gjerman, për menaxhimin e arkivave të regjimeve totalitare, duke e bërë këtë proces një urë për pajtim dhe transparencë.
Kjo vizitë e përfaqësuesve të Institutit Albanologjik të Prishtinës në Tiranë pason takimin e mëparshëm të zhvilluar në Prishtinë mes përfaqësuesve të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe studiuesve kosovarë.
Nga nënshkrimi i marrëveshjes me Autoritetit të Dosjeve dhe Institutit Albanologjik të Prishtin... 1 nga 11/e.i/r.e//a.f/