E Martë, 3 Nëntor 2026

Kërkohej për tentativë vrasje, kapet 30-vjeçari. Lëvizte me armë zjarri dhe lëndë narkotike

Një 30-vjeçar është vendosur në pranga nga policia pasi kërkohej për tentativë vrasje dhe me rekorde të shumta kriminale. Në kuadër të operacionit të koduar “Flagranca”, uniformat blu kanë arrestuar 30-vjeçarin që qarkullonte i armatosur, me mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara si dhe posedonte lëndë të dyshuara narkotike.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në bashkëpunim me ato të Seksionit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Sektorin  për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim për tentativë vrasje, i cili qarkullonte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Flagranca”.    

Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të mbikalimit te Casa Italias, është lokalizuar dhe arrestuar shtetasi G. P., 30 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.  

30-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i “ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë”

Në vitin 2022, në qytetin e Durrësit,  30-vjeçari ka tentuar të vrasë me armë zjarri një shtetas për motive të dobëta.  

Gjatë kontrollit fizik shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me krehra e municion luftarak, dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara dhe sasi lënde të dyshuar narkotike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›