Kërkoi të dalë nga kafazi dhe të lejohen kamerat në gjyq, GJKKO rrëzon kërkesat e ish presidentit Meta! Pretendimet për përgjim në paraburgim i përcillen Drejtorisë së Burgjeve
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta paraqiti tre kërkesa në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Ish Presidenti kërkoi që të dalë nga kafazi i xhamit dhe të ulej pranë avokatit të tij, të lejoheshin kamerat që të transmetonin procesin gjyqësor si dhe të verifikoheshin pajisjet e përgjimit në ambientet e paraburgimit gjatë takimeve me avokatin e tij mbrojtës, Bujar Musta.
Prokurori Arben Kraja kundërshtoi lejimin e kamerave, ndërsa për pretendimet mbi pajisjet e përgjimit deklaroi se kjo çështje është jashtë kompetencave të SPAK. Sa i përket kërkesës për daljen nga kafazi i xhamit, ai ia la vendimmarrjen gjykatës.
Pas shqyrtimit të kërkesave, gjykata vendosi të rrëzojë dy prej tyre. Ndërsa për pretendimet lidhur me përgjimin e komunikimeve me avokatin, gjyqtari Erion Bani bëri të ditur se çështja do t’i përcillet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për verifikim.