Gruaja dhe djali u arrestuan për vrasjen e Urim Fikut, flet banori: Familja ishte shumë e mirë, s’e konceptoj dot që ta kenë kryer krimin! Gazmiri ka qenë nxënës shembullor
Një banor i zonës ku ndodhi ngjarja e rëndë në Bulqizë, ku dyshohet se 61 vjeçari Urim Fiku u vra nga gruaja Sadete dhe djali Gazmir, ka treguar se ata njiheshin si një familje e mirë.
Ai theksoi se 33-vjeçari Gazmir Fiku ishte një nxënës shembullor ndërsa shtoi se e njihte gjithashtu edhe të atin e tij. Banori u shpreh se ka të vështirë ta besojë që ata e kanë kryer krimin, ndërsa shtoi se 62-vjeçari kishte probleme me banorë të fshatit të tij.
“Gazmir Fikun e kam patur edhe nxënës dhe ka qenë ndër më shembullorët në shkollë. Familje shumë e mirë. Unë e konceptoj dot që e shoqja, Sadetja, bashkë me djalin të kenë bërë këtë krim. Ndoshta e kanë kryer, ça nuk ndodh në këtë dynja, por nuk e besoj. Unë nuk besoj se është kryer ky krim nga njerëzit e familjes. Ai ka një vajzë dhe një djalë. Vajzën e ka të martuar, dhe djali punonte te OSHEE. Dëgjova që e ka dëmtuar arusha. Më shumë nuk di gjë. Me intuitën time dhe me çfarë i ka njohur unë, nuk ma merr mendja. Nuk e di por thonë që ka pas kaluar keq me banorët e fshatit, por unë duke e njohur karakterin e Urimit dhe Gazmirit, nuk ma do mendja se kanë arritur deri këtu. “, tha ai.
Policia njoftoi dje se kishte arrestuar bashkëshorten e Urim Fikut, Sadete Fiku, 57 vjeçe, dhe djalin e tyre 33-vjeçar, Gazmir Fiku, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e 61-vjeçarit.
Fillimisht u pretendua se viktima ishte sulmuar nga një ari, por ekspertiza mjeko-ligjore në Tiranë zbuloi se ai kishte një plagë arme zjarri në gjoks. Dyshimet e policisë u shtuan pas plagësnë trup dhe dëmtimeve në kokë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas raportimeve, familjarët e kanë dërguar në spitalin e Bulqizës, ku ka mbërritur pa shenja jete. Ata nuk kanë pranuar që kufoma të përgatitej nga personeli i spitalit, duke deklaruar se, sipas traditës së tyre, këtë proces do ta kryenin vetë.