Këshilli Ndërfetar: Projektligji “Për barazinë gjinore” në kundërshtim me traditën e familjes shqiptare

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, i përbërë nga pesë komunitetet fetare, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, shprehu sot shqetësimin për disa nene dhe përkufizime të projektligjit “Për barazinë gjinore”, të cilat sipas tij, bien në kundërshtim me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare.
Në një deklaratë për shtyp, Këshilli Ndërfetar pas mbledhjes së Bordit të Presidencës theksoi se “në veçanti, përkufizimi i termit “gjini”, si koncept gjithëpërfshirës, përdorimi i nocioneve, “identitet gjinor”, “shprehje gjinore”, si dhe të gjitha neneve të tjera të lidhura me to, krijojnë paqartësi ligjore dhe hapësira për keqinterpretim”.
“Ne, si komunitete fetare, theksojmë rëndësinë e familjes tradicionale të bazuar mbi dy gjinitë biologjike: burrë dhe grua. Për këtë arsye, kërkojmë saktësimin e përkufizimit të termit “Gjini” në projektligj, duke e lidhur qartë me gjininë e përcaktuar në lindje – burrë, grua, vajzë, djalë – në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit”, thuhet në deklaratë.
Komunitetet fetare shprehen se kanë mbështetur gjithmonë përpjekjet e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian.
“Njohja tradicionale e dy gjinive nuk përbën pengesë për këtë proces – fakt që reflektohet edhe në praktikat e shumicës së shteteve anëtare të BE-së, të cilat vazhdojnë të përdorin një përkufizim binar burrë–grua. Me dëshirën që këto shqetësime të merren në konsideratë nga institucionet përgjegjëse, riafirmojmë angazhimin tonë për dialog dhe bashkëpunim në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe të sigurt për brezat e rinj, duke u mbështetur në besimin te Zoti dhe respektin për ligjin”, theksohet në deklaratën e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.
1 nga 3/k.s/a.f/