Këshilli i Ministrave miraton në parim marrëveshjen strategjike me Italinë, në fokus shëndetësia, energjia dhe emigracioni

Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim një Marrëveshje të re gjithëpërfshirëse strategjike me Qeverinë e Republikës së Italisë.
Vendimi, i propozuar nga Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, hap rrugën për formalizimin e bashkëpunimit të thelluar në një gamë të gjerë sektorësh kyç.
Marrëveshja strategjike synon të forcojë partneritetin mes dy vendeve në fusha të shumta, duke përfshirë:
Kujdesin shëndetësor;
Energjinë;
Mjedisin;
Industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes;
Menaxhimin e migracionit;
Arsimin dhe Inovacionin;
Diasporën;
Transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente.
Hapi i ardhshëm në marrëdhëniet bilaterale
Miratimi në parim nga Këshilli i Ministrave është hapi i parë zyrtar që i mundëson qeverisë shqiptare të procedojë me nënshkrimin e Marrëveshjes, në përputhje me ligjin nr. 43/2016 për marrëveshjet ndërkombëtare.
Ky Vendim tregon vullnetin e qeverisë për të institucionalizuar bashkëpunimin me partnerin strategjik italian në fusha me rëndësi jetike, si mbrojtja e shëndetit publik, siguria në fushën e energjisë dhe menaxhimi i flukseve migratore.
/rtsh.al/