Rama- Berisha, një pakt 2.0 për Kushtetutën? Ndreca mbron propozimin e kryeministrit për uljen e numrit të deputetëve, skeptik ndaj Berishës për krijimin e një dhome të dytë (Senat)

Hipoteza e një pakti të ri politik mes mazhorancës aktuale, të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, dhe forcave opozitare të udhëhequra nga ish-Kryeministri Sali Berisha, për të votuar ndryshime kushtetuese, ka qenë tema qendrore e emisionit të mbrëmshëm “Trialog” në RTSH.
Nën moderimin e Alba Alishanit, në studio përveç gazetarëve Lorenc Vangjeli dhe Arion Sulo, ishte edhe ish-deputetin e Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, për të analizuar këtë skenar të mundshëm politik.
A mund të kemi një lloj rikthimi të një marrëveshjeje të përbashkët mes dy figurave kryesore të skenës politike shqiptare, këtë herë me fokus riformësimin e hartës ligjore themelore të vendit? Kjo ishte pyetja qendrore e emisionit.
Në vazhdim të debatit të hapur mbi mundësinë e një marrëveshjeje kushtetuese mes mazhorancës dhe opozitës, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, dha një analizë të detajuar në emisionin “Trialog”, duke theksuar se propozimi i Kryeministrit Edi Rama për reduktimin e numrit të deputetëve është i bazuar në arsye logjike, ndërsa propozimi për një parlament me dy dhoma, i promovuar nga Berisha, sjell “komplikacione” në arkitekturën e shtetit.
Ulja e numrit të deputetëve
Ndreca argumentoi se ulja e numrit të anëtarëve të Kuvendit është e justifikuar duke pasur parasysh raportin mes numrit të tyre dhe popullsisë së vendit.
“Ne duhet ta ndërmarrim këtë reformë sepse shton dhe peshën e deputetëve. Kemi një ndër parlamentet më të mëdha në raport me popullsinë. Në këtë sens ka kuptim,” theksoi Ndreca.
Ai paralajmëroi se, megjithatë, duhet pasur kujdes pasi kjo ndërhyn në “kontratën mes qytetarëve dhe politikës,” por vlerësoi se propozimi i Ramës nuk prek “shtyllat e strukturës kompozicionale të shtetit.”
Modeli me dy dhoma i Berishës
Ndërkohë, ish-deputeti shprehu rezervat ndaj propozimit të Sali Berishës për krijimin e një dhome të dytë (Senat). Sipas Ndrecës, ky propozim ndryshon në themel arkitekturën e shtetit duke ndërhyrë në kompetencat e Presidentit.
“Nëse senati ka rolin që ka në Francë reduktohen kompetencat e presidentit. E kemi honorifik presidentin me kompetencat. Rrudhja e mëtejshme e kompetencave të presidentit do të çojë në pikën për të parë edhe pozicionin e presidentit,” shpjegoi Ndreca.
Ndreca pranoi se një dhomë e dytë mund të shërbente si “filtër të mirë në këtë parlament që është i dominuar nga politika,”.
/rtsh.al/