“KiE t’i bëjë ftesën Kosovës”, Gërvalla: Do dërgojmë draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese

Ministrja e jashtme, Donika Gërvalla, në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të këtij muaji.
“Varësisht nga si do të pranohet kjo ofertë, varësisht si do të jenë hapat e mëtejme… atëherë do të varet nga ne se a do të mund të fillojmë me një dokument të tillë apo jo, por nuk jemi ende aty, do të ju njoftojmë me kohë se si do jenë proceset më tej”, tha Gërvalla.
Shefja e diplomacise theksoi se pret që pas kësaj letre Këshilli i Evropës të bëj hapa për ta ftuar Kosovën që të bëhet pjesë e kësaj organizate.
“Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbush pjesën e vet të detyrimit dhe ta ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë KiE-së si vendi të cilit jo vetëm që janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por si vendi që i ka përmbushur këto kushte”, tha Gërvalla.
Çështja e Kosovës nuk do të jetë në rendin e ditës në mbledhjen e komitetit të ministrave të Këshillit të Evropës që mbahet të premten e 17 majit./vizionplus.tv