E Martë, 3 Nëntor 2026

Kikia: PS shfrytëzoi faktin që Gjikuria ishte kandidat grek, pa njohje politike

Për zgjedhjet në Himarë nuk mund të flitet për fitues dhe humbës u shpreh të dielën analisti Mentor Kikia.

I ftuar në studion e RTSH 24 bashkë me opinionistin Mujo Buçpapaj, z. Kikia komentoi kandidimin e sipërmarrësit shqiptaro-amerikan Petro Gjikuria, duke e parë atë si një gabim strategjik për opozitën.

“Ajo që shoh te opozita është se asaj nuk i dalin llogaritë. Në një qytet me një grusht votuesish, partitë i njohin fare mirë kush janë votuesit, kush erdhi dhe nuk erdhi të votojë. Por nëse kthehemi te fushata dhe përzgjedhja e kandidatëve, përpos qytetarisë dhe gatishmërisë së kandidatit të opozitës se do ta njohë rezultatin, demokracitë e përparuara kanë shpikur atë që quhet proces i zgjedhjeve primare. Njerëzve u duhej dhënë mundësia që të zgjidhnin mes 10 kandidatëve. Ky mekanizëm do e filtronte më të mirin. Zgjedhja e një kandidati për Himarën duhej të ishte një proces interesant pas historisë së Belerit. Himarjotët që votuan Belerin supozohet se në shumicë ishin të nervozuar nga ajo që ndodhi me të. Konflikti me Greqinë e kishte intensifikuar këtë gjë.

Socialistët bënë gjënë e zgjuar, se nuk zgjodhën një himarjot, por zgjodhën një minoritar, socialist, politikan që njeh kulisat e politikës shqiptare, që ka raportet brenda komunitetit lokal. Opozita ia besoi sërish kandidaturën e vet Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila është një parti pa shumë asete njerëzore. Në kushtet kur bëri gabimin e madh herën e parë kur kandidoi Fredi Belerin me një barrë problemesh politike dhe ligjore me shtetin shqiptar, iu drejtua një sipërmarrësi që nuk e njeh politikën, nuk i ka marrëdhëniet dhe kontaktet me Shqipërinë. Kandidati i opozitës shqiptare, në banerin që mbante pas shpine në takimet elektorale, kishte portretin e një njeriu që është një djegës fshatrash në ato anë. Konsulentët e fushatës duhet ta kishin këshilluar. Mazhoranca socialiste, duke qenë shumë përpara në këtë drejtim, e shfrytëzoi me dinakëri faktin që ky ishte një kandidat grek: çfarë ka bërë ky që mbante në krah, konfliktet. Nga një garë mes Tavos dhe Gjikurias u shndërrua në një garë mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike dhe më pas mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Kjo lloj strategjie e ka dëmtuar shumë dhe partitë e opozitës duhet të kishin ftohtësinë për ta gjykuar se çfarë do të sillte zgjedhja e kandidatit dhe çfarë përfaqësonin sloganet pas shpinës së tij,” deklaroi z. Kikia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›