Mbërrijnë në KZAZ kutitë e votimit për kryetarin e ri të Himarës

Pas përfundimit të orarit për zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë Himarë dhe me mbylljen e të gjithë qendrave të votimit, kutitë e votimit kanë mbërritur në KZAZ.
Së bashku me kutitë dhe materialet zgjedhore u dorëzuan edhe pajisjet e identifikimit elektronik (PEI) dhe kamerat monitoruese, që u përdorën në 36 qendrat e votimit.
“Kutitë e votimit, materialeve zgjedhore, pajisjet PEI, kamerat monitoruese të QV për 36 QV u morën në dorëzim nga KZAZ sipas procedurave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe aktet e KQZ-së në fuqi. KZAZ nuk konstatoi asnjë kuti të parregullt dhe përmbylli procesin e dorëzimit të materialeve zgjedhore nga KQV,” raportoi KQZ në orë 22:38.
“Procesi i numërimit pritet të nisë rreth orës 00:00,” raportoi për RTSH-në gazetarja Rugova Dunisha.
23 mijë qytetarë ishin në listat zgjedhore, por më shumë se 6 mijë nuk e ushtruan të drejtën për të votuar, pasi mjetet e tyre të identifikimit kishin skaduar.
Procesi i votimit gjatë ditës vijoi qetë, ndërkohë që zgjedhësit janë identifikuar elektronikisht. Nga të dhënat e raportuara, pjesëmarrja në zgjedhje rezulton 37.61%.
Për zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës gara zhvillohej mes kandidatit Vangjel Tavo nga PS dhe Petro Gjikuria nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
/rtsh.al/