E Diel, 1 Nëntor 2026

Kishin mbetur në det të hapur, policia e Himarës shpëton 5 turistë të huaj

Policia Kufitare në Himarë  gjatë 24 orëve të fundit ka bërë të mundur shpëtimin dhe evakuimin e 5 turistëve të huaj.

Në rastin e parë, katër turistë të huaj, dy shtetas suedezë dhe dy nga Mbretëria e Bashkuar, të cilët kishin dalë me kajak nga zona e Potamit në drejtim të Filikurit, humbën kontaktin me grupin për shkak të erës së fortë dhe dallgëve të larta, duke mbetur të bllokuar.

Pas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë kërkimet përgjatë vijës bregdetare dhe arritën t’i lokalizojnë pranë “Gurit të Kuq”. Turistët u evakuuan në mënyrë të sigurt.

Në rastin e dytë, një shtetase australiane kërkoi ndihmë pasi kishte pësuar dëmtime fizike dhe kishte mbetur e bllokuar në zonën e Filikurit. Pas njoftimit policia kufitare bëri të mundur lokalizimin dhe transportimin e saj drejt Portit të Himarës, ku më pas u dërgua për trajtim mjekësor në spital.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›