Kishin mbetur në det të hapur, policia kufitare e Vlorës iu vjen në ndihmë 8 pushuesve

Policia Kufitare e Vlorës u ka ardhur në ndihmë 8 shtetasve që kishin mbetur në det për shkak të problemeve me mjetet e tyre lundruese.
“Pas marrjes së njoftimit nga SPK Triport, se një gomone me 4 shtetas në bord kishte pësuar defekt rreth 1 milje larg zonës së Shën Janit, u organizua menjëherë puna për t’u ardhur në ndihmë. Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të SPK Triport u nis menjëherë drejt vendit të raportuar dhe bëri të mundur shoqërimin e gomones, e cila kishte pësuar defekt, deri në stacion, së bashku me 4 shtetasit në bord, të cilët ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore”, njoftoi policia.
Rasti i dytë u shënua në Dhërmi. 4 shtetas që po lundronin me kanoe në plazhin e Porto Palermos ishin bllokuar në det dhe kërkonin ndihmë. Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të SPK Dhërmi u nis drejt vendit të raportuar dhe bëri të mundur shoqërimin e 4 shtetasve në bregdet, të cilët ishin në gjendje të mirë shëndetësore./vizionplus.tv