Klasa moderne dhe laboratorë smart në shkollën “Ndre Mjeda” në Shkodër

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Ndre Mjeda” në Shkodër e nisën këtë vit të ri shkollor në ambiente të reja.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo shkollë me kushte dhe standarde bashkëkohore.
Rama u shpreh se nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Ndre Mjeda” në Shkodër, tashmë mësojnë në një shkollë model, me klasa moderne, laboratorë smart dhe të shkencave, bibliotekë, hapësira rekreative, terrene sportive dhe palestër të re.
“Falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Shkodrës, kjo shkollë tashmë ofron standardet më të larta për rreth 800 nxënës dhe mësues”, shkroi Rama.
Shkolla “Ndre Mjeda” nga një godinë e amortizuar pa ngrohje, pa palestër, mësim me dy turne tashmë ofron nga e para ambiente me të gjitha standardet bashkëkohore e pajisur me klasa të bollshme, laboratorë, bibliotekë, palestër dhe hapësira rekreative.
MAS vetëm për infrastrukturën shkollore në Shkodër ka dedikuar 7 milionë euro.
1 nga 20/k.s/j.p/