E Diel, 1 Nëntor 2026

Kleana Xhuveli shkon në Parlament, e afërmja e Lapajt merr mandatin e Nismës “Shqipëria Bëhet”

Merr fund saga e tensioneve mes liderëve të koalicionit Nisma “Shqipëria Bëhet” për mandatin e deputetit të fituar në qarkun e Tiranës.

Pas dorëheqjeve të mëparshme të kandidatëve në listë të mbyllur, të dorëzuar pranë KQZ, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka mandatuar Kleana Xhuvelin nga lista e mbyllur duke lënë jashtë parlamentit Adriatik Lapajn dhe Endri Shabanin.

“Nuk ka dorëheqje nga kandidimi pasi listat janë miratuar. Në rastin konkret. Klena xhuveli ka pohuar se dëshiron të marrë mandatin, nëse ky do të jetë rasti, e ka bërë edhe Zerqir Kordhoni, por duke qenë se Klena është renditur në listën e mbyllur të këtij koalicioni më sipër, vlerësoj që i takon asaj e drejta për të marrë mandatin e deputetit të këtij koalicioni përsa kohë ajo e ka interesin për këtë”, tha Celibashi.

E pranishme në sallë, deputetja e re Kleana Xhuveli nuk e shmangu reagimin për mediat duke u zotuar për përfaqësim dinjitoz në parlament

“Duke qenë se lëvizja jonë ka në themel garën me lista të hapura, zotohem se do ta përfaqësoj me dinjitet mandatin e 80 mijë shqiptarëve. Në ditën që beteja ligjore do ta rikthejë mandatin tek i zoti, tek njeriu më i votuar i lëvizjes tonë, Adriatik Lapaj, unë do të jem aty për të garantuar vijimësinë e këtij procesi”, tha Xhuveli.

26-vjeçarja Xhuveli ka lidhje familjare me drejtuesin e subjektit Shqipëria Bëhet si dhe ka qenë aktive gjatë  fushatës elektorale. Më herët Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listat përfundimtare të të gjithë qarkut Tiranë për të gjitha subjektet politike./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›