Koçiu: Bëmë punë shumë të mira në Shëndetësi, Sala do japë hov të ri

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Tashmë ministre e Punëve të Brendshme në kabinetin qeverisës, Albana Koçiu dorëzoi sot stafetën tek ministrja e re e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Prof.Dr. Evis Sala gjatë prezantimit të saj nga Kryeministri Rama.
Duke i dhënë fjalën Koçiut, Kryeministri Rama e falënderoi në mënyrë të veçantë sepse, si u shpreh ai, “ka krijuar një frymë pozitive në përgjithësi ka motivuar të gjithë për bërë gjërat si duhet”.
Rama shtoi se Koçiu ka treguar këmbëngulje të posaçme për të çuar përpara projektet, dhe për koordinuar dhe harmonizuar forcat edhe në funksion të atyre aleancave që janë kyçe për mandatin e katërt.
“Është një falënderim jo thjesht formal, por plotësisht i merituar për Albanën”, theksoi ai.
Nga ana e saj, Koçiu falënderoi të gjithë mjekët dhe infermierët si dhe ekipet shëndetësore në të gjithë vendin me të cilët punoi gjatë kësaj kohe në krye të ministrisë.
“Të gjithë ne e dimë se sa sfida ka shëndetësia dhe se janë bërë jashtëzakonisht shumë punë të mira”, u shpreh ajo.
Koçiu e cilësoi rrugëtimin si një eksperiencë të jashtëzakonshme pasi njohu dhe preku nga afër një sektor jetik për shëndetin dhe mirëqenien qytetarëve.
Koçiu duke i lënë stafetën ministres Sala, vlerësoi se ajo doi t’i japë një hov cilësor punëve të shëndetësisë shqiptare dhe të mirëqenies sociale.
“Dua vetëm t’ju falënderoj për gjithçka ndamë së bashku, jam e sigurt që do të vazhdoni të bëni sukses me profesionalizmin tuaj, ndjenjën e sakrificës që iu karakterizon në çdo moment, në çdo moment krize vështirësie për çdo pacient, për çdo qytetar që troket në derën tuaj. Ju jeni gjithmonë aty dhe kjo e bën suksesin, humanizimi juaj dhe sakrifica juaj. Ishte vërtet rrugëtimi më ë bukur i jetës time”, tha Koçiu.
/k.s/j.p/