E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pavioni i kardiokirurgjisë, investimi më i ri me aparatura moderne në QSUNT

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ Pas prezantimit të ministres së re të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Dr. Evis Sala, Kryeministri Edi Rama vizitoi pavionin e ri të kardiokirugjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, një investim transformues i cili do të ofrojë një nivel të lartë shërbimi mjekësor ndaj qytetarëve.

Në këtë vizitë, Kryeministri Rama shoqërohej nga ministrja e re e Shëndetësisë Prof.Dr Evis Sala, ish-ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, drejtori i Përgjithshëm Florenc Spaho dhe stafi i mjekëve pranë QSUNT.

Spitali i ri i kardiokirurgjisë do të jetë i pajisur me aparatura moderne dhe ekipe të specializuara për zemrën, enët e gjakut dhe reanimacionin.

Godina ka një sipërfaqe ndërtimi prej 4.000 metra katrorë, me një shtesë prej 500 metra katrorë.

Në katin e parë të godinës do të ketë kryesisht shërbime, të cilat do të ofrohen për studentët dhe për stafet pedagogjike për ngritjen e kapaciteteve të tyre, si dhe logjistika teknike.

Gjithashtu, në katin e dytë të këtij spitali të ri do të kryhen edhe shërbimet e kirurgjisë vaskulare.

Në katin e tretë ndodhet blloku operator me shtim sipërfaqesh, nga katër salla operatore janë pesë salla të cilat tashmë do të krijojnë kushte më optimale. Në të njëjtin kat, është i vendosur edhe shërbimi i reanimacionit, për të gjithë situatat që kanë vështirësi në trajtim.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›