Koçiu: Dënojmë inkurajimin e akteve të dhunës nga drejtues të opozitës

TIRANË, 19 shkurt /ATSh/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dënoi mbrëmjen e sotme çdo inkurajim aktesh dhune nga drejtues të opozitës ndërsa mbështetës të PD-së qëlluan me fishekzjarre e molotovë në drejtim të Kryeministrisë gjatë protestës.
Koçiu u bëri thirrje organizatorëve të protestës që t’u bëjnë apel simpatizantëve që të shmangin aktet e dhunës dhe të mbajnë të miturit larg çdo akti që do të rrezikonte jetën e tyre dhe qytetarëve.
“Dhuna nuk është zgjidhje! Dhuna është shfaqje e dëshpërimit nga ata që në vend të alternativës krijojnë skena që rrezikojnë jetën e qytetarëve, policëve e gazetarëve”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu vijoi duke theksuar se “ata të rinj e të mitur që përfshihen në akte dhune nuk janë as heronj e as trima, por janë të keqpërdorurit e atyre që në mënyrë patologjike vijojnë të mbështeten te dhuna, pa mundur të ndërtojnë alternativë tjetër veç shkatërrimit”.
Reagimi i ministres Koçiu vjen gjatë zhvillimit të protestës së katërt kombëtare të PD-së dhe aleatëve të saj.
/e.i/j.p/