E Hënë, 2 Nëntor 2026

Koçiu: Hapen aplikimet për punësim me profil Shkencat Mjekësore Teknike

TIRANË, 29 gusht/ATSH/ Aplikimet për profesionistë të Shkencave Mjekësore Teknike janë hapur prej ditës së sotme, 29 gusht 2025 dhe do të vazhdojnë deri në 12 shtator 2025.

Lajmin e bëri të ditur, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila u bëri thirrje të gjithë profesionistëve që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e ekipit të shëndetësisë publike.

Sipas Koçiut, aplikimet për punësim janë hapur në profilet si infermieri, mami, teknik laboratori, teknik imazherie, fizioterapi dhe Logopedi.

Procesi i punësimit nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë” vijon të garantojnë transparencë dhe meritokraci, duke forcuar çdo ditë sistemin shëndetësor me profesionistë të rinj dhe të përkushtuar.

Portalet “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë” janë një hap i rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vend, duke garantuar që profesionistët e kualifikuar të kontribuojnë në kujdesin për pacientët.

Këto platforma garantojnë një proces rekrutimi të udhëhequr nga parimet e transparencës, meritës, profesionalizmit dhe barazisë në funksion të ofrimit të një shërbimi cilësor infermieror në të tre nivelet e kujdesit shëndetësor.

Procesi i testimit të kandidatëve është transparent në të gjitha fazat e tij, që nga regjistrimi, testimi, procesi i ankimimit, deri në shpalljen e listës përfundimtare të fituesve dhe përzgjedhjes së vendeve të reja të punës me bazë merite, në bazë të pikëve të marra nga secili kandidat nga të gjitha fazat e konkurrimit.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›