E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçiu: Investime prej 22 milionë eurosh për ta kthyer Tushemishtin në model të turizmit gjithëvjetor


TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Tushemishti, një prej destinacioneve më të njohura turistike në zonën e Pogradecit, po shndërrohet në një model të turizmit gjithëvjetor falë një pakete investimesh prej rreth 22 milionë eurosh që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve përgjatë bregut liqenor.

Gjatë një vizite në zonë, z[vend[skryeministrja Albana Koçiu theksoi se investimet po krijojnë një kurorë të integruar zhvillimi që lidh qytetin e Pogradecit me Tushemishtin, Drilonin dhe zonat e tjera përreth liqenit.

“Tushemishti, një prej xhevahireve të kurorës turistike të Pogradecit, po kthehet në një model të zhvillimit të turizmit gjithëvjetor. Me një paketë investimesh prej rreth 22 milionë eurosh që përmirësojnë infrastrukturën dhe shërbimet, po krijojmë një kurorë të integruar zhvillimi përgjatë gjithë bregut liqenor”, tha Koçiu.

Sipas saj, rehabilitimi i shëtitoreve, ndërtimi i parkimeve funksionale, rrugëve të aksesit, korsive të biçikletave dhe hapësirave rekreative janë pjesë e një vizioni për ta kthyer bregun e liqenit në një destinacion më modern, më mikpritës dhe më konkurrues.

Koçiu vlerësoi potencialin turistik të Pogradecit dhe theksoi se investimet synojnë të zgjasin sezonin turistik përtej muajve të verës.

“Tushemishti me bukuritë e veta meriton të vazhdojë të zhvillohet dhe të investohet, duke pasur parasysh fluksin në rritje të turistëve që vizitojnë Pogradecin. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një turizëm gjithëvjetor dhe për këtë infrastruktura dhe atraksionet turistike janë thelbësore”, u shpreh ajo.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, bëri të ditur se investimi prej rreth 22 milionë eurosh realizohet përmes bashkëpunimit të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bankës Botërore.

“Ky është një investim kolosal që do t’i shërbejë zhvillimit të gjithë zonës. Pozicioni dhe peizazhi që ofron kjo pjesë e bregut liqenor e bëjnë atë një nga zonat më të bukura turistike në Shqipëri. Jemi duke u përgatitur për të pritur një fluks gjithnjë e më të madh turistësh”, tha Xhakolli.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, sqaroi se ndërhyrja është konceptuar si një projekt i integruar, ku Fondi Shqiptaro-Amerikan po investon në parkun e Drilonit, ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka realizuar investimet në shëtitore, rrugët e aksesit dhe bypass-in që lidh zonën me doganën.

Ai bëri të ditur se projekti parashikon funksionalizimin e parkimeve, krijimin e aksesit për bizneset dhe kthimin e shëtitoreve në hapësira plotësisht këmbësore, duke i çliruar ato nga qarkullimi i automjeteve.

Paralelisht, po zbatohet edhe një tjetër projekt me financim të KfW-së gjermane për rehabilitimin e vijës liqenore të Pogradecit, ndërsa Fondi Shqiptaro-Amerikan po vlerëson mundësitë e investimit në zonën e Linit, me synimin për të kompletuar të gjithë kurorën turistike të liqenit.

Koçiu theksoi se investimet do t’i japin më shumë mundësi Bashkisë së Pogradecit për promovimin e potencialeve turistike të zonës.

Bashkia disponon 33 kilometra vijë liqenore dhe projektet e reja do të mundësojnë krijimin e një korsie të dedikuar biçikletash përgjatë gjithë bregut.

“Nëse do ta përshkruash liqenin me biçikletë, do të mund ta bësh në një korsi të dedikuar, sipas kërkesave të turistëve dhe banorëve të Pogradecit”, tha Koçiu.

Kryebashkiaku bëri të ditur gjithashtu se po punohet me Fondin Shqiptaro-Amerikan për krijimin e një kompleksi fushash sportive me terrene tenisi, basketbolli dhe volejbolli, në funksion të zhvillimit turistik të zonës.

Sipas tij, nga rreth 450 mijë turistë që vizitojnë aktualisht Pogradecin çdo vit, objektivi është që deri në vitin 2030 numri i vizitorëve të kalojë mbi 1 milion. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›