Koçiu: Mjekët në gatishmëri në Palasë, kujdes shëndetësor për pushuesit gjatë verës

TIRANË, 5 korrik/ATSH/ Në bregdetin e Palasës, aty ku vera sjell çdo vit mijëra pushues vendas dhe të huaj, Qendra Shëndetësore Verore është në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmën e parë dhe këshilla shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale pamje nga qendra Shëndetësore Verore e Palasës. “Në bregdetin e bukur të Palasës, ku vera sjell mijëra pushues, Qendra Shëndetësore Verore është në gatishmëri çdo ditë për të ofruar ndihmë të parë dhe këshilla mjekësore”, thekson Koçiu
Stafi mjekësor punon çdo ditë për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e pushuesve, duke u kujdesur për raste urgjente dhe problematika të zakonshme që shfaqen gjatë stinës së nxehtë.Doktoresha Denada Mulaj, e cila punon në këtë qendër për të tretin vit radhazi, tregon se gjatë verës janë të zakonshme rastet me djegie nga dielli, reaksione alergjike, pickime nga insektet dhe plagë të ndryshme që ndodhin gjatë aktiviteteve fizike.
Ajo thekson rëndësinë e mosekspozimit në pikun e ditës ku temperaturat janë të larta, ndërsa u bën thirrje pushuesve të konsumojnë sa më shumë ujë, të qëndrojnë në hije gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të mbrojnë lëkurën me krem mbrojtës.
Sipas saj, shmangia e qëndrimit të zgjatur në diell sidomos në pikun e vapës është thelbësore për të ruajtur shëndetin.
Qendra Shëndetësore Verore në Palasë vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në garantimin e një vere të sigurt për të gjithë ata që zgjedhin rivierën shqiptare për pushimet e tyre, duke ofruar jo vetëm trajtim mjekësor por edhe ndërgjegjësim për kujdesin ndaj rreziqeve të stinës.
/a.gj//a.f/